E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pyetet në Prokurori vëllai i gruas së zhdukur, Irena Seli

23/01/2005  TIRANË –Ylli Seli është marrë në pyetje në orët e mbrëmjes së djeshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ai është pyetur nga hetuesit e këtij institucioni, për zhdukjen e motrës së tij, Irena Seli, 38 ditë më parë. Burime nga organi i hetimeve për Krime të Rënda, thanë se deklarimet e Ylli Selit, janë dëshmia e parë që ky institucion merr në funksion të zbardhjes së fatit të 39-vjeçares së zhdukur. Njëkohësisht dje pasdite, nga qyteti i Durrësit, janë kthyer hetuesit e çështjes, të cilët dje kanë kryer verifikimin e dokumentacionit në port. Sipas burimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ende nuk është saktësuar në mënyrë zyrtare, nëse e zhdukura Irena Seli ka mbërritur në Portin e Durrësit.

Hetimi

Edhe gjatë ditës së sotme, një pjesë e mirë u grupit hetimor të dosjes për zhdukjen e Irena Selit do të jetë në Durrës. Prokuroria ka planifikuar të marrë në pyetje edhe persona të policisë së Durrësit, udhëtarë të tragetit “VENEZIA” të datës 15 dhjetor 2004 si dhe personelin e këtij trageti. Në ditët e ardhshme, pritet të kërkohet edhe dëshmia e bashkëshortit të gruas së zhdukur, Agim Mushos, i cili ndodhet me qëndrim në Gjermani. Versionet e para të ngritura nga Prokuroria për ngjarjen, kanë të bëjnë me mundësinë e rrëmbimit të Irena Selit dhe më pas zhdukjen e saj. Versioni tjetër në të cilin po hetohet është ai i mundësisë së një vrasje, me qëllime të zhdukjes. Këto janë vetëm dyshimet e para të hedhura nga hetuesit, ndërsa ende asgjë nuk është vwrtetuar, pasi dosja ka mungesë të theksuar provash dhe materialesh, nga të cilat hetuesit mund të ngrenë versionet.

Zhdukja

Agim Musho dhe Irena Seli janë nisur nga Dortmundi i Gjermanisë, në datën 15 dhjetor, me qëllim kthimin në Shqipëri. Në kohën kur kanë mbërritur në portin e Triestes në Itali, motra e vogël e Irenës ka telefonuar në numrin e Agimit dhe i është përgjigjur një italian. Më pas ka kërkuar sërish Agimin në telefon dhe ai i ka thënë motrës së vogël të gruas së tij, se po priste biletat e udhëtimit drejt Shqipërisë. Motra e Irenës ka biseduar edhe me të zhdukurën dhe ajo i ka konfirmuar nisjen në traget. Mbërritja në Portin e Durrësit mbetet ende mister. Agim Musho, thotë se ka mbërritur me gruan e tij në Durrës dhe ajo i është zhdukur kur ai po vuloste pasaportat. Të afërmit e Irena Selit, pretendojnë se Irena nuk është regjistruar fare në port, si person i mbërritur. Dy ditë pas ngjarjes, e cila ka ndodhur në 16 dhjetor, një sinjal telefonik ka mbërritur nga Kalifornia nw celularët e Agim Mushos, djalit të tij dhe të vëllait të të zhdukurës. Thirrjeve telefonike në këtë numër, u përgjigjet një sekretari telefonike në gjuhën angleze, e cila njofton se biseda është ndërkombëtare.

Unë nuk kam qenë

në tragetin “VENEZIA”

Gazeta “Metropol” kontaktoi dje me njërin prej personave që është regjistruar në Portin e Durrësit, se ka kaluar në çastet kur Agim Musho dhe Irena Seli kanë vulosur pasaportat. Ky person, të cilit gazeta i detyrohet në ruajtjen e anonimatit, thotë se nuk është nisur nga porti i Triestes, ku janë nisur dy bashkëshortët, njëri prej të cilëve është zhdukur. Dëshmitari ka një numër rendor në renditjen e listës së personave që kanë kaluar në Durrës, fare afër dy bashkëshortëve. Nisur nga ky fakt, mund të mendohet se ai i ka parë ata, derisa ka qenë pas tyre. Por ky dëshmitar, thotë se nuk është nisur nga porti i Triestes, por nga porti i Barit. Ai thotë se ka udhëtuar me një traget grek dhe se për të vulosur pasaportën, nuk i është dashur të shkojë te sporteli policor, pasi janë unifmroat blu ato qw e realizojnë këtë. Dëshmitari, thotë se nuk është ndodhur në një traget me Irena Selin dhe bashkëshortin e saj, por thotë se nuk i ka vënë re ata, edhe në kohën kur ka zbritur nga trageti. Sipas verifikimeve të listës së personave që kanë kaluar në Durrës, Agim Musho dhe Irena Seli, janë personat me numrat 1 dhe 2 në listën e të mbërriturve në Durrës. Agim Musho i ka thëhë vëllait të gruas së tij në telefon atë ditë se, trageti “VENEZIA” me të cilin ka udhëtuar çifti në datën 15 dhe 16 dhjetor, ka mbërritur atë ditë në Durrës, në orën 14.00 të drekës. Dëshmitari i kontaktuar nga gazeta “Metropol”, thotë se trageti në të cilin ai është ndodhur, pasi është nisur nga porti i Barit, ka mbërritur në Durrës në orën 13.00. Nisur nga ky fakt, vështirë se mund të besohet se Agim Musho dhe gruaja e tij e zhdukur kanë patur mundësi të vulosin pasaportat, para dëshmitarit, pasi ai ka mbërritur në Durrës një orë para Mushos dhe Selit. T.S.

“Agimi na bllokoi telefonat”

TIRANË –Një rastësi apo një komplot? Të afërmit e saj e kanë patur të vështirë të flasin në telefon ditën e zdhukjes së Irena Selit. 38 ditë më--- parë, në datë 16 dhjetor ajo është parë për herë të fundit, në tragetin “VENEZIA” që nisej nga porti italian i Triestes për në Durrës. Më pas asgjë nuk dihet për fatin e Irena Selit, ish-bashkëshorte e pronarit të komleksit “Bruno”, Agim Musho. Vëllai i Irena Selit, Ylli, tregon bllokimin e telefonit në Gjermani, atë ditë që Agim Musho është nisur drejt Shqipërisë.

Cila është e vërteta e bllokimit të telefonit të personave të tuaj të afërt që jetojnë në Gjermani?

Në kohën kur ndodhej në Gjermani, para se të nisej për në shqipëri, Agimi ka zhdukur bllokun me numrat telefonikë, që mbante nëna në formë numratori.

Kur ka ndodhur kjo?

Numratori është zhdukur në kohën kur Agimi ka dalë nga shtëpia dhe është nisur për në Itali e më pas për në Shqipëri.

Si e konfirmuat faktin se Agimi kishte gisht në zhdukjen e bllokut ku ndodheshin numrat tuaj me të cilët komunikonit me nënën tuaj?

Pas ardhjes së Irenës dhe Agimit në Shqipëri, unë pata një bisedë me Agimin. I thashë se kisha folur me nënën. I habitur ai më pyeti nëse e kisha marrë unë, apo më kishte marë ajo. Unë i thashë se më kishte marrë ajo dhe Agimi mu përgjigj duke më thënë se nëna nuk i kishte numrat tanë dhe për më tepër, telefonatat e saj me Shqipërinë ishin bllokuar. Unë i thashë se nëna, më kishte marrë me kartë telefonike 20-minutëshe e cila në Gjermani kushton 5 euro dhe se nuk më kishte marrë nga telefoni i saj.

Në çfarë rrethanash e zhvilluat këtë bisedë më Agimin?

Pasi motra e Agimit erdhi në shtëpinë time dhe më pyeti nëse ishte Irena. Ajo më tha se kishin patur një zenkë në traget dhe se Irena prej disa orësh, nuk ndodhej me Agimin. Më pas jemi takuar me Agimin dhe e kemi zhvilluar këtë bisedë.

Përse mendoni se mund ta ketë bërë këtë Agimi?

Nuk e di. Unë nuk e akuzoj Agimin për këtë. Unë dyshoj sepse ai gjatë bisedës ë pata me të, tregoi se kishte dijeni për bllokimin e telefonit. B.Ç./T.S.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›