Incidenti i shkuljes së veshit, kërkohet dëshmia e Ramës dhe Cekës
Tiranë- Komisioni hetimor i ngritur mbi incidentin e ndodhur në Vjenë është mbledhur sërish sot ku është diskutuar mbi personat që do të dëshmojnë lidhur me përplasjen mes kryesocialistit Edi Rama dhe diplomatit Egin Ceka.
Deputetë e Partisë Demokratike kanë kërkuar që në dispozicion të tyre të vihen filmimet e asamblesë politike si dhe Ministria e Jashtme të japë të gjitha dokumentet lidhur me vizitën e kryesocialistit në Vjenë.
Kryetari i komisionit hetimor, Fatbardh Kadilli, ka thënë se pjesë e dëshmitarëve do të jenë edhe zoti Rama dhe zoti Ceka. Gjithashtu sipas tij do të dëgjohet versioni i organizatorit të takimit, Fate Velaj, ambasadorit tonë në Austri, Vili Minarolli dhe ministrit të Jashtëm, Aldo Bumçi.
Ditë më parë Ministria e Jashtme nëpërmjet një deklarate për mediat u shpreh se gjatë një takimi në Akademinë Politike të Vjenës ka ndodhur një incident mes shefit të opozitës dhe diplomatit tonë që aderon pranë OSBE-së.
Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë diplomatë shqiptarë dhe të huaj. Gjatë bisedës është fyer imazhi i republikës, po ashtu në fund të bisedës diplomati jonë në Vienë dhe që operon pranë OSBE-së, zoti Egin Ceka, është fyer. Ai është afruar pranë zotit Rama për të diskutuar mbi një pikë lidhur me pengimin të votës së shqiptarëve emigrantë nëpërmjet ambasadave. Sipas tij kjo votë nuk do të ishte e mundur për shkak të politizimit të dipolmacisë. Nisur nga dëshira për të biseduar zoti Ceka është afruar duke theksuar se shërbimi diplomatik nuk është i poltizuar dhe do e kryente një shërbim të tillë. Zoti Rama ka reaguar në mënyrë agresive duke përdorur dhunë verbale dhe më pas fizike, e cila ka përfunduar me konflikt të hapur, i cili është shpërndarë nga të pranishmit. Ai i ka kërkuar Cekës të dalë nga salla duke përdorur fjalë banale,- shprehet MPJ-ja.