E Diel, 1 Nëntor 2026

Incidenti me avionin, ministri sllovak: Po ekzagjerohet

Sllovakia e gjykon si teprim problemin e incidentit të ndërrimit të destinacionit të avionit shqiptar. Ministri i Jashtëm sllovak Lajcak, gjatë takimit të djeshëm në Tiranë me homologun shqiptar, Ilir Meta, shprehu qëndrimin e tij në lidhje me incidentin e ndodhur ditën e diel, me avionin e kompanisë Albania Airlines, i cili ndryshoi destinacionin nga Bolonja, duke çuar në Bratislavë 110 pasagjerë shqiptarë. Sipas kryediplomatit sllovak, ky incident nuk duhet të ekzagjerohet nga autoritetet shqiptare deri në zbardhjen e plotë të provave.
“Është e vërtetë se kjo çështje ka tërhequr një vëmendje të veçantë, por kërkoj që të mos ekzagjerohet pa pasur prova nga autoritetet shqiptare. Theksoj se kjo nuk është një çështje mes dy vendeve tona, por një incident mes dy kompanive”, - deklaroi ministri i Jashtëm sllovak gjatë takimit me homologun e tij shqiptar Metën. Kurse ministri ynë i Jashtëm, Ilir Meta, i pyetur në lidhje me incidentin e avionit të kompanisë Albania Airlines, u shpreh se ky ishte një veprim i dënueshëm, por thekson se incidenti është një çështje mes dy kompanive dhe nuk lidhet me marrëdhëniet midis dy shteteve.
“Veprimi i ekuipazhit të avionit ishte i dënueshëm, por një incident i tillë nuk ndikon në marrëdhëniet mes shteteve, theksoj se incidenti është mes dy kompanive, kjo çështje po ndiqet dhe do ketë vëmendjen tonë deri në zbardhjen e plotë të saj”, - u shpreh Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›