E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat PD-PS, së shpejti takimi Patozi-Leskaj

Në rast se takimi mes dy liderëve politikë, atij të PD-së, Sali Berisha, dhe atij të PS-së, Edi Rama, duket i largët, më i afërt do të jetë ai mes dy krerëve të grupeve parlamentare, Astrit Patozi dhe Valentina Leskaj. Procesi i negociatave për një marrëveshje konkrete që synon rikthimin e opozitës në Kuvend do të nisë pikërisht me takimin e parë mes dy drejtuesve të grupeve parlamentare. Burimet sqarojnë se pavarësisht gatishmërisë së liderit Berisha për t’u takuar me cilindo politikan, ende nuk ka një konfirmim për një takim të tij me kundërshtarin politik Edi Rama. Madje, burimet bëjnë të qartë se ky takim edhe mund të mos bëhet në nivel kryetarësh, duke pohuar qartë se bisedimet mes dy kampeve do të zhvillohen në nivelet e dyta. Megjithatë, PD-ja i ka hapur rrugën dialogut politik më opozitën e majtë për rikthimin e saj në Parlament. Por duket se ky moment për deputetët socialistë do të jetë i pashmangshëm. Kjo, për faktin se që një komision parlamentar, siç është kërkuar nga PS-ja, që të nisë punën për të hetuar, duhet që deputetët socialistë të zënë vendet në Kuvend dhe të betohen. Edhe në këtë drejtim PD-ja është e gatshme që t’i japë opozitës shumicën e anëtarëve të komisionit që do të hetojë zgjedhjet e 28 qershorit, ndonëse ligji për komisionet hetimore parlamentare e përcakton ndryshe. PD-ja ka garantuar se është një instrument që do të jetë tërësisht në dispozicionin e interesave të opozitës për të hetuar zgjedhjet, pasi edhe kryetari do t’i përkasë Partisë Socialiste. Sigurisht PD-ja ngulmon që ky hetim të bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet e vendit dhe rregullat e shtetit ligjor. Duke e konsideruar si tepër të rëndësishme pjesëmarrjen e opozitës në Parlament dhe në reforma, mazhoranca qeverisëse është e hapur për t’i lënë PS-së drejtimin e një komisioni parlamentar, për të hetuar zgjedhjet e qershorit, edhe sipas rekomandimeve të KE-së. Por, sipas demokratëve, ky komision do të hetojë deri atje ku parashikon Kushtetuta dhe ligjet e vendit. Jo më larg se 5 ditë, përmes një projektrezolute, KE-ja i bëri thirrje opozitës dhe qeverisë shqiptare për të gjetur gjuhën e dialogut, me qëllim daljen nga kriza politike. KE i kërkon mazhorancës ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit, ndërsa opozitës i bëhet thirrje urgjente të kthehet në Parlament, nga ku së bashku me mazhorancën të punojnë për realizimin e reformave të rëndësishme. Ky komision i kërkon Presidentit të Republikës, Bamir Topi, të luajë rolin e ndërmjetësit, në gjetjen e një konsensusi për t’i dhënë fund bojkotit të opozitës, si dhe për ndreqjen e problemeve të zgjedhjeve të shkuara. Nga ana e tij, kreu i shtetit Bamir Topi ka besim se ngërçi politik do të kapërcehet shumë shpejt. Sipas tij, forcat politike shqiptare edhe në kontekstin e marrëdhënieve me miqtë janë të përgjegjshme dhe do të dinë të tejkalojnë edhe atë impas të krijuar në muajt e fundit në jetën politike shqiptare, e cila reflektohet patjetër edhe nëpërmjet një debati që shpeshherë nuk shkon në standardet e kërkuara. Topi ka vënë në dukje: “Ne i kemi të gjitha aftësitë që gjatë këtij viti të tregojmë me shumë mençuri, përgjegjësi, vizion e besim për të orientuar energjitë dhe kohën tonë shumë të vlefshme drejt një debati konstruktiv, për t’u ngritur mbi interesat imediate pavarësisht çmimit që kërkohet, për të ndërtuar së bashku shoqërinë e vërtetë demokratike". Vetë mazhoranca e djathtë mirëkupton qëllimin e mirë të projektrezolutës për të gjetur patjetër një zgjidhje, por sipas kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, nuk është ky rasti i artë për ndërhyrjen e Presidentit që opozita të vijë në Parlament. Patozi ka bërë të qartë: “Ne nuk kemi një debat real me opozitën as për pjesëmarrjen e saj në Kuvendin e Shqipërisë, dhe as për hetimin e zgjedhjeve si një e drejtë legjitime e saj. Ndërkohë që ka një debat që sa vjen e po ashpërsohet më shumë brenda vetë Partisë Socialiste, për të ruajtur strategjinë e pafrytshme dhe absurde të bojkotit apo për t’i dhënë fund asaj. Dhe sigurisht është jashtë çdo logjike që Presidenti i Republikës të konsiderojë rolin e tij në një debat që zhvillohet brenda një partie politike, qoftë ajo edhe më e madhja e opozitës”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›