E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liria ekonomike, deputetët e PD-së, akuza Ramës

Deputetët e Partisë Demokratike lëshuan dje akuza ndaj kreut të bashkisë, Edi Rama, për praktikën në dhënien e lejeve të ndërtimit. Deputetët Aldo Bumçi e Florion Mima, duke iu referuar raportit të fundit të fondacionit “Heritage”, thanë se Shqipëria ka bërë hapa para në lirinë ekonomike, por sipas tyre, praktika e dhënies së lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës ka ndikuar që kjo liri të mos rritet. Deputeti Mima tha se praktika e dhënies së lejeve të ndërtimit është treguesi i vetëm negativ. “Sot ne jemi 4 pikë mbi mesataren e vendeve të botës për lirinë ekonomike”, - tha Mima. Deputeti Bumçi vlerësoi reformat ekonomike veçanërisht në lirinë e të bërit biznes dhe në zvogëlimin e rolit të shtetit në ekonomi. Në raportin e fondacionit “Heritage”, Shqipëria renditej në vendin e 53-të për nga liria ekonomike duke marrë 66 pikë. Vendi ynë radhitet i 25-i nga 43 vendet e Evropës dhe vlerësimi i përgjithshëm është mbi mesataren botërore. Raporti konsideron dhjetë kritere në vlerësimin për lirinë ekonomike të një vendi - lirinë për punën, biznesin, tregtinë, lirinë fiskale, shpenzimet qeveritare, lirinë monetare, lirinë për investime, lirinë financiare, të drejtën e pronës dhe lirinë nga korrupsioni. Raporti vëren se niveli i lirisë ekonomike në botë ra vitin e kaluar, ndërsa qeveritë ndërhynë për të ndalur krizën financiare. Sipas kësaj renditjeje, niveli mesatar i lirisë ra zero presje 1 për qind gjatë vitit të kaluar. Indeksi favorizon vendet që nxisin tregun e lirë. Më tej, në Kuvend u diskutua për situatën në Shkodër. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, tha se në të gjithë qarkun ka nisur normalisht dhënia e mësimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›