E Diel, 1 Nëntor 2026

Miroslav Lajcak: Bota ka respektuar rezultatet e zgjedhjeve të 28 qershorit

Sllovakia mbetet optimiste se procesi i integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian po ecën me ritme të kënaqshme. Në një intervistë për “standard“, ministri i Jashtëm i Sllovakisë, z. Miroslav Lajcak, flet për marrëdhëniet mes dy vendeve pas vizitës së bërë dje nga ai në Tiranën zyrtare. Ministri, me një karrierë të gjatë diplomatike dhe njohës i mirë i vendeve të Ballkanit, flet edhe për procesin integrues të Shqipërisë. Duke u ndalur në bojkotin e Kuvendit dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare në vend, ministri i Jashtëm i Sllovakisë shprehet se bota ka respektuar rezultatet e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Ministri Lajcak shprehet optimist se shqiptarët do të lëvizin pa viza së shpejti në vendet e Bashkimit Evropian. Sipas tij, bëhet fjalë për një proces teknik dhe jo politik dhe me plotësimin e kushteve të kërkuara, qytetarët shqiptarë do të mund të udhëtojnë lirshëm në vendet Shengen. Në këtë intervistë, ministri Lajcak flet edhe për marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve si dhe fushat e përbashkëta mes dy vendeve tona.

Zoti ministër, Shqipëria dhe Sllovakia prej vitesh kanë marrëdhënie diplomatike, ekonomike dhe tregtare. Ju si ministër i Jashtëm i Sllovakisë, si do ti përkufizonit marrëdhëniet mes dy vendeve?

Midis Republikës së Sllovakisë dhe të Shqipërisë ekzistojnë tradicionalisht marrëdhënie të mira. Midis nesh nuk kemi asnjë çështje të hapur dhe prandaj asgjë nuk na pengon për zhvillim të gjithanshëm dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe ku ka interes të ndërsjellë. Potencialin e shoh kryesisht në fillimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, të cilat nuk korrespondojnë me nivelin politik. Kështu, vizita ime në Tiranë është e lidhur edhe me identifikimin e fushave për zhvillimin e kontakteve ekonomike dypalëshe.

Ju keni shërbyer si ambasador në vendet e Ballkanit ku mbulonit edhe Shqipërinë për më se 4 vitesh deri në vitin 2005. Tashmë Shqipëria është bërë anëtare e NATO-s si dhe ka nisur procesin e fitimit të kandidaturës për në Bashkimin Evropian. Cili është mendimi juaj për proceset integruese ku është përfshirë Shqipëria?

Vendi juaj ka bërë përparime të mëdha në procesin e integrimit. Keni arritur të parakaloni dhe disa vende fqinje. Sot ne jemi partnerë të barabartë dhe aleatë të NATO-s dhe keni përparuar në mënyrë të konsiderueshme në rrugën drejt BE-së, fakt për të cilin ne jemi shumë të kënaqur. Jam i lumtur, që edhe me mbështetjen tonë jeni aty ku jeni. Nga ana tjetër keni ende shumë punë përpara, pasi procesi i pranimit ne BE është një axhendë shumë e vështirë. Unë jam i bindur, që përfaqësimi juaj politik është në dijeni të këtij angazhimi dhe përpjekjet e saj do të nënshtrohen plotësisht në përmbushjen e kritereve të pranimit.

Nga përvoja juaj e gjatë si diplomat, qoftë në Bruksel, qoftë edhe në shtetin tuaj, keni njohur nga afër vendet e Ballkanit Perëndimor. Mendoni se Shqipëria ndodhet në rrugë të mbarë për integrimin e saj të plotë në Bashkimin Evropian? Çfarë këshilloni për autoritetet shqiptare që ky proces të përshpejtohet më shumë?

Po, keni të drejtë. Rajonit të Ballkanit Perëndimor i përkushtohem më shumë se 20 vjet dhe jam i kënaqur që njohuritë e mia mund t´i përdor në komunikimin me partnerët e BE-së. Pyetja tashmë është se kur vendi juaj, si edhe vende të tjera në rajon, do të bashkohen në BE. Kjo do të varet kryesisht nga qeveria juaj, se si do të përmbushë kriteret që janë të qarta dhe që edhe në kishim nevojë ta përmbushim, kur kemi hyrë në BE. Qeveria juaj e di shumë mirë se çfarë duhet bërë për të përshpejtuar procesin e integrimit. Në rrugën drejt BE-së nuk ka shkurtesa. Nëse dikush përpiqet të shmangë “hartën e rrugës” për të përmbushur kriteret apo nuk bën detyrat në një nivel të mjaftueshëm, atëherë krijohet një problem, që mund të pasqyrohet përfundimisht në një ngadalësim të procesit të pranimit. Këtu unë dua të them, që mbështetja jonë për Shqipërinë është jo vetëm politike, por ka edhe një anë praktike. Ne ju ofrojmë përvojën konkrete të procesit të pranimit në mënyrë që të përmirësohet përgatitja e trajnimit tuaj dhe që të arrini më shpejt rezultatet të dëshiruara ose që të shmangni disa vështirësi me të cilët jemi ndeshur edhe vetë.

Pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 në Shqipëri, opozita ka bojkotuar për momentin Parlamentin. Ndërkombëtarët certifikuan zgjedhjet, ndërsa nga ana tjetër opozita nuk po kthehet. Si e shihni ju këtë situatë politike në Shqipëri?

Për Bashkimin Evropian është e rëndësishme që zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar ishin të ligjshme sipas rregullave demokratike ashtu siç deklaroi misioni i OSBE/ODIHR-it. Edhe pse ka pasur disa parregullsi teknike, bota ka respektuar rezultatet e zgjedhjeve dhe për këtë arsye respekton qeverinë e zgjedhur ligjërisht. Nuk më takon mua ta komentoj situatën tuaj të politikës së brendshme, e cila ka specifikat e veta si çdo vend tjetër. Për ne është e rëndësishme që Shqipëria është një vend që ka të qartë orientimin e politikës së saj të jashtme dhe e cila është gjithashtu anëtare e NATO-së.

Qeveria shqiptare ndodhet në procesin e realizimit të kritereve për liberalizimin e vizave. Sipas afateve të mundshme, me plotësimin e kritereve nga Shqipëria, qytetarët shqiptarë mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen pas qershorit të vitit 2010. Mendoni se kjo do të jetë e realizueshme për Shqipërinë?

Sigurisht. Heqja e regjimit të vizave me vendet anëtare të BE-së do të varet vetëm nga përmbushja të kushteve konkrete të dhëna në “hartën e rrugës”. Dua të theksoj, që bëhet fjalë për një proces teknik, jo politik. KE, siç e ka avizuar vetë, në gjysmën e parë të 2010-s do të rivlerësojë përmbushjen e kushteve të “hartës së rrugës” për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Nga 19.12.2009 qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi tashmë mund të udhëtojnë pa viza në BE dhe besoj thellësisht se Shqipëria, së bashku me Bosnjën-Hercegovinën të përmbushin kushtet e mbetura sa më shpejt dhe qytetarët tuaj do të udhëtojnë në BE pa vizë në gjysmën e dytë të këtij viti.

Kthehemi në marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Çfarë mund të bëhet më shumë në bashkëpunimin dypalësh, si në rritjen e bashkëpunimit ekonomik?

Thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, niveli aktual i të cilit është më poshtë ekonomive potenciale të dy vendeve tona, është një nga prioritetet e përfaqësimit diplomatik sllovak në Tiranë. Besoj se vizita ime e sotshme në vendin tuaj do të ndihmojë jo vetëm të ringjallë dialogun politik midis Republikës së Sllovakisë dhe Shqipërisë, por do të jetë edhe nxitje për identifikimin e fushave, ku ne mund të intensifikojmë bashkëpunimin reciproke ekonomik dhe tregtar. Mundësitë potenciale i shoh sidomos në furnizimin me pajisje të ndryshme të përpunimit ose pajisje teknike për gërmimin e mineraleve. Një sferë tjetër bashkëpunimi ofrojnë projekte të investimeve, p.sh. në fushën e ndërtimit dhe zhvillimit të infrastrukturës lokale dhe të transportit - rikonstruktimi i rrjetit hekurudhor të amortizuar të parkut hekurudhor, rrjetit rrugor, ndërtimi i impianteve për pastrimin e ujërave të zeza, impianti për djegien e mbetjeve komunale, kanalizimi të rrjetit të ujësjellësit në rajon. Një fushë po aq e rëndësishme janë projekte energjitike, duke përfshirë energjinë e ripërtërishme, por edhe turizmin (ndërtimin e objekteve turistike në bregdet të Adriatikut dhe Jonit). Pjesa e strategjisë duhet të jetë përfshirja e prezantimit të vendit tuaj bizneseve sllovake dhe grupeve investitore. Është i rëndësishëm fakti, që interesat janë dypalëshe.

Qeveria shqiptare ka lobuar duke u bërë thirrje bizneseve të huaja të investojnë në Shqipëri nisur edhe nga kushtet më të përshtatshme për të bërë biznes. Mendoni se biznesi sllovak duhet të shohë Shqipërinë si një mundësi për të investuar?

Shqipëria është për Republikën Sllovake një treg perspektiv, pavarësisht nga niveli aktual i volumit të tregtisë reciproke. Arsyeja kryesore e këtij fakti qëndron kryesisht në mungesën e njohurive të mjedisit ekonomiko-tregtar, subjekteve të biznesit dhe të tregut në të dyja vendet. Prandaj, kjo kërkon bashkëpunim më të gjerë dhe direkt dhe përforcimin e kontakteve midis bizneseve individuale sllovake dhe shqiptare. Në fillim të një bashkëpunimi të tillë do të ishte e mundur për të përmendur nënshkrimin e memorandumit për mirëkuptim ndërmjet Ministrive të Ekonomisë së dy vendeve, e cila është në proces të finalizimit. Për njohuri të mjedisit ekonomiko-tregtar do të ndihmonte nëse nënshkrimi i memorandumit do të ishte i lidhur me prezantimin e mundësive të biznesit në të dy vendet dhe organizimi i forumeve të tregtisë.

Zoti ministër, vendet e BE-së sapo kanë miratuar edhe Traktatin e Lisbonës. Çfarë ndryshimesh ndodhin edhe me Sllovakinë në kuadrin e miratimit të këtij traktati? A kishte debate tek ju si në Çeki apo ndonjë vend tjetër lidhur me këtë dokument të rëndësishëm të BE-së?

Se pari, duhet të kuptohet se Traktati i Lisbonës është një kompromis, për të cilin 27 vendet e BE-së arritën të bien dakord. Secila nga 27 vende mund të kenë idetë e veta, por ata nuk do të merrnin mbështetjen e të gjithëve. Pra, në mënyrë të qartë kjo është gjëja më e mirë që ka BE-ja dhe kjo gjithashtu vlen edhe për Republikën e Sllovakisë. Më në fund, BE-ja është e liruar nga sqarimet e mekanizmave të brendshme në mënyrë që të ketë mundësi të kushtojë vëmendjen të rolit e saj global, sepse sa më shumë kohë dhe energji kushtoni për zgjidhjen e punëve të brendshme, aq më pak mbetet për të trajtuar sfidat globale. Lisbona ka sjellë shumë ndryshime, por gjënë kryesore konsideroj atë që lehtësoi dhe qartësoi sistemin e vendimmarrjes dhe me këtë BE ka marrë fleksibilitet dhe aftësinë për të vepruar, e cila ishte në përputhje me idetë, interesat e Republikës së Sllovakisë. Në Republikën Çeke situata ka qenë e ndryshme dhe arsyet e Presidentit Klaus kanë qenë gjerësisht të njohura. Në atë kohë, nuk e kujtoj rastin, kur në forumet e ndryshme ndërkombëtare nuk fillonin me pyetjen e parë se si është situata në Çeki. Për fat të mirë, procesi i ratifikimit është përfunduar dhe kontrata hyri në fuqi.

Duke e njohur faktin se Sllovakia është një vend i vogël, i krahasueshëm me Shqipërinë, do të doja të dija se cila është hapësira që zë një vend i vogël në BE, është një hapësirë e vogël apo e barabartë mes të tjerëve?

Edhe një vend i vogël siç është Sllovakia – siç them zakonisht – mund të arrijë në një ndeshje boksi në nivelin e peshës më të lartë. Çdo gjë varet se si të përballoni problemet, çfarë stili zgjidhni në komunikimin me partnerët dhe aleatët dhe shumë varet se sa të lexueshëm jeni. Ka shumë shembuj nga e kaluara, kur një vend i vogël ka qenë në gjendje të zbatojë atë çështje të rëndësishme në skenën ndërkombëtare. Ekziston hapësira e madhe dhe perspektive për përforcimin e marrëdhënieve reciproke dhe bashkëpunimit midis vendeve të vogla, për arsye se çështje të tilla zbatohen së bashku më lehtë. Duke pasur parasysh anëtarësimin tonë të përbashkët në NATO dhe ambiciet e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e BE-së, të cilën ne mirëpresim dhe mbështesim, marrëdhëniet tona kështu marrin një dimension të ri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›