E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat dhe BE, Lajcak takon Berishën, Topallin dhe Metën

Shqipëria merr mbështetjen e Sllovakisë për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Këtë garanci dha dje në Tiranë ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajcak, i cili vlerësoi progresin e arritur nga Shqipëria në drejtim të reformave integruese. Takimin e parë me autoritetet e larta të shtetit shqiptar, kryediplomati sllovak e realizoi paraditen e djeshme me ministrin tonë të Jashtëm, Ilir Meta dhe më pas Kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, të cilët i siguroi për mbështetjen në procesin integrues të vendit. Gjatë konferencës së përbashkët, Meta u shpreh se vizita e homologut të tij sllovak është shumë e rëndësishme për një kapitull të ri marrëdhëniesh, duke filluar nga përurimi i ambasadës sllovake ditën e sotme. Ndërsa nënvizoi se brenda këtij viti edhe Shqipëria do të ketë ambasadën e vet në Bratislavë. Kurse gjatë takimit me Kryeministrin Sali Berisha u diskutua gjithashtu edhe për bojkotin e opozitës. Kryeministri Berisha i bëri me dije ministrit Lajcak gatishmërinë e mazhorancës për ngritjen e komisionit parlamentar për shqyrtimin e shqetësimeve të ngritura nga opozita, me përjashtim të çështjeve të vendosura tashmë me vendim të formës së prerë nga gjykata. Ministri sllovak u shpreh se qëndrimi i Kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare në respektim dhe mbështetje të institucioneve demokratike dhe të shtetit ligjor është një qëndrim i drejtë që gëzon një përkrahje të gjerë. “Askush nuk e përkrah bojkotin, - tha ministri Lajcak, - dhe në asnjë rast, politika nuk mund të ndërhyjë për të vlerësuar vendimet e gjykatave. Konkluzionet e institucioneve ndërkombëtare të specializuara për zgjedhjet si ato të OSBE/ODIHR-it, duhen respektuar plotësisht”. Edhe me znj. Topalli u fol për bojkotin e opozitës në Parlament, ku ministri sllovak vuri në dukje se vota demokratike ka krijuar institucionin e OSBE/ODIHR-it si vlerësues të zgjedhjeve, si gjykim përfundimtar sipas të cilit zgjedhjet e fundit në Shqipëri përmbushën standardet e kërkuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›