E Diel, 1 Nëntor 2026

Çështjet civile e tregtare, Shqipëria, marrëveshje me 49 shtete

Në Kuvendin e Shqipërisë mbërriti Konventa e Konferencës së Hagës “për marrjen e provave jashtë vendit në çështjet civile e tregtare”. Kjo konventë, e miratuar nga 49 shtete të botës, u hap rrugën autoriteteve shqiptare të ligjit që në këto vende të kërkojnë lehtësisht prova për çdo proces, nëse do të jetë e domosdoshme. Ndërsa deri më sot bashkëpunimi i shtetit shqiptar me shtetet e tjera ka qenë efektiv në çështjet penale, me këtë konventë do të jetë e mundur që nëpërmjet letër porosive të ndiqen edhe provat jashtë vendit për çështje civile apo tregtare. Kjo konventë krijon sigurinë që investitorët e vendeve që e kanë ratifikuar këtë konventë, të jenë më të sigurt me investimet e tyre në vendin tonë. Nëse atyre u preken investimet në Shqipëri, ata mund të hapin një proces gjyqësor në vendin e tyre dhe autoritetet atje mund të kërkojnë lehtësisht prova në vendin tonë për të vërtetuar pretendimet e shtetasit të tyre. Konventa do të ndihmojë në rritjen e investitorëve të huaj në vendin tonë. Konventa parashikon që krahas ekzekutimit të letërkëmbimeve, edhe punonjësit diplomatikë, përfaqësuesit konsullorë mund të marrin prova në vendin e interesuar. Rëndësia e kësaj konvente qëndron në faktin se në 49 shtetet që e kanë miratuar atë, vendi ynë mund të kërkojë lehtësisht prova për çdo proces gjyqësor nëse kërkohet një gjë e tillë nga çdo palë e interesuar. Konventa përcakton se nuk përjashtohet mundësia që një letër-kërkesë të përmbajë çdo informacion të nevojshëm për realizimin e saj. Letër-kërkesa duhet të jetë në gjuhën e autoritetit që kërkon ta ekzekutojë atë ose e përkthyer në gjuhën anglezë ose frënge. Në lidhje me procedimet e mëtejshme që kërkohen për realizimin e letër-kërkesës, autoriteti kërkues do të informohet për kohën dhe vendin, ku do të zhvillohen procedimet, me qëllim që palët e interesuara dhe përfaqësuesit e tyre të jenë të pranishëm. Konventa parashikon që letër-kërkesat të ekzekutohen pa vonesë dhe autoriteti gjyqësor që merret me ekzekutimin e saj të zbatojë ligjin e metodat e tij për realizimin e saj, përveç rasteve të veçanta kur kërkohet nga shteti kërkues të ndiqet një metodë specifike, realizimi i të cilës nuk duhet të jetë në kundërshtim me ligjin e autoritetit të kërkuar. Në nenin 21 të konventës parashikohet që punonjësi diplomatik apo agjenti konsullor mund të marrë të gjitha llojet e provave të cilat janë në përputhje me ligjin e shtetit ku do të merren provat si dhe të bëjë një kërkesë ndaj personit që duhet të paraqitet për të dhënë prova. Kjo konventë pritet të miratohet në seancën e radhës së Kuvendit të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›