Mandatet, Ristani: Zëvendësimi, vetëm me 4 vota
Vota e vetëm 4 anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve zyrtarizon zëvendësimin e mandateve të PS-së në momentin e skadimit të afatit kushtetues. Është ky votimi me shumicë të thjeshtë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili bën të mundur zëvendësimin në listë proporcionale të deputetëve, të cilëve u ndërpritet mandati sipas nenit 71 të Kushtetutës. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, e mbështet këtë logjikë në Kodin Elektoral, i cili shprehet qartë për rastet e vendimmarrjes së cilësuar, pikërisht në nenin 24 të tij. Sipas Ristanit, procedura ligjore parashikon që KQZ të veprojë sapo merr njoftimin nga Kuvendi për mungesën e deputetëve. Neni 164 i Kushtetutës thotë se KQZ merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar sipas nenit 67 të këtij kodi. Kjo procedurë, që sipas Ristanit votohet edhe me një shumicë prej vetëm 4 anëtarëve të komisionit, nuk do të mund të bllokohej edhe në rast vënieje në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese. Deputetët që sapo kanë përfituar mandatin, tashmë kanë një afat edhe më të ngushtë brenda të cilit Kodi Elektoral i ngarkon me detyrimin që të bëjnë betimin, vetëm 30 ditë. Pas kësaj, KQZ do të përfshihej në një tjetër procedurë zëvendësimi mandatesh në listën proporcionale të subjektit politik. Nga ana e saj mazhoranca është gati për zbatimin e procedurës që parashikon Kushtetuta e vendit, nëse PS-ja nuk heq dorë nga bojkoti i Parlamentit. Ndaj, sipas neneve të Kushtetutës 70-71 dhe nenit 164 të Kodit Zgjedhor, ata zëvendësohen me kandidatët pasardhës në listën 140 emërore që PS-ja ka depozituar në KQZ. “Ky Komision merr vendim për dhënie të mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar sipas nenit 67 të këtij kodi. Vendimi i njoftohet kandidatit si dhe botohet në fletoren zyrtare”. Por këtu Kodi përcakton një tjetër afat për deputetët që sapo kanë përfituar një mandat. Duket se gjithë këtë procedurë ligjore dhe kushtetuese nuk e pengon apo shtyn në kohë qoftë dhe ankimimi në Gjykatë Kushtetuese. Mundësia e fundit që trupa e 64 deputetëve të PS-së të futet në Kuvend, është 4 marsi dhe përtej kësaj date ligjërisht nis zëvendësimi i mandateve, nëse nuk i jepet fund bojkotit. Mazhoranca është gati për zbatimin e procedurës që parashikon Kushtetuta e vendit, nëse PS-ja nuk heq dorë nga bojkoti i Parlamentit.