Incidenti në Peqin, prokurorët sportivë nisin hetimin

Federata Shqiptare e Futbollit do të nisë një hetim për ngjarjet në dhomat e zhveshjes gjatë pushimit të ndeshjes mes Shkumbinit dhe Besës, takim i mbyllur me fitoren e skuadrës peqinase me rezultatin e ngushtë 1-0 dhe i vlefshëm për javën e 4-t të Kategorisë Superiore. Ngjarjet e dhunshme, në të cilën pati edhe një gjakosje (në buzë) të mesfushorit sulmues të Besës, Bekim Kuli, pas një konfrontimi në korridoret e dhomës së zhveshjes.
Incidenti u shndërrua në një skup mediatik, falë edhe shoqërimit për pak minuta të trajnerit të Besës, Ilir Daja. "U ndalua vetëm për 10-15 minuta", - tha deputeti i zonës së Peqinit, Dash Sula për "Skaner kampionat" në televizonin "Alsat". Ngjarja bëri xhiron e lajmeve në mediat televizive e ato të shkruara shqiptare, por pa mundur të hedhë dritë mbi të vërtetën edhe pse sekretari i Klubit të Futbollit të Shkumbinit, Astrit Isai foli për "Ora Neës" e presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili ndërhyri në "Alsat".
Së fundi, mësohet se takimi problematik do të jenë objekt hetimi nga ana e inspektorëve të Komisionit të Disiplinës në Federatën e Futbollit, apo "prokurorëve sportivë', sic konsiderohen në një terminologji më të guximshme dy punonjësit e frikshëm të FSHF-së.
Deri tani selia "topit gjithmonë të rrumbullakët shqiptar" ende nuk ka një prononcim qoftë etik publik.
Sipas asaj që ka zbuluar "Sporti Shqiptar" vendimi për atë që ndodhi në Peqin do të jepet vetëm javën e ardhshme. "Pavarësisht sherrit dhe faktit se një lojtar përfundoi i gjakosur në zonën teknike të stadiumit, duket e vështirë që Federata të marrë masa në adresë të Shkumbinit. Nga burime të sigurta në Federatën e Futbollit, mësohet se delegati i ndeshjes nuk ka shkruar asgjë në raport, pasi ka qenë duke shoqëruar arbitrat në ato momente", - përfundon artikulli i gazetës më të vjetër sportive shqiptare në versionin e saj online.