E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti në Qafë-Botë, grekët s’pranojnë çamët

VLORE- Incident i rëndë në kufirin shqiptaro-grek. Autoritetet policore të shtetit fqinj kanë penguar për pak kohë kalimin e kufirit të deputetit të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Dashamir Tahiri. Ai kryesonte një grup zyrtarësh dhe gazetarësh që donin të kalonin kufirin për të shkuar në Igumenicë, për të përkujtuar 67-vjetorin e marshimit të popullsisë çame. Pas një debati të ashpër me autoritetet greke në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Botës, deputetit Tahiri i është lejuar të kalojë kufirin. Por ndërkohë një gjë e tillë u është mohuar kryetarit të Komunës së Markatit, Ismail Myrtaj dhe ekipit të gazetarëve të TVSH-së dhe ‘News24’, që shoqëronin këta zyrtarë. Grekët, pasi ia kanë mohuar të drejtën e ligjshme për të kaluar kufirin, sipas të gjitha rregullave që përcakton marrëveshja e lëvizjes së lirë, i kanë dorëzuar atij edhe arsyetimin zyrtar. Në të thuhet: “Konsiderohet person i rrezikshëm për rendin publik dhe sigurinë e brendshme, për shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose më shumë shteteve të Bashkimit Europian”. Më tej, shkresa thekson se: “I interesuari mund të ushtrojë apelim kundër veprimit të mospranimit të hyrjes, sipas të drejtës së vendit. Të interesuarit i jepet një kopje e këtij akti”.
Myrtaj
Kryekomunari i Markatit, Ismail Myrtaj tha për “Gazetën Shqiptare” se “kam mbetur i shokuar nga qëndrimi i autoriteteve policore greke, pasi unë kam kaluar dhjetëra herë nga kjo pikëkalimi për në Greqi. Për çudinë e të gjithëve, ajo që nuk ka arsye t’i ndalohet asnjë shtetasi shqiptar, të ligjshëm e të pajisur me dokumente të rregullta që kërkohen në kufi, na u ndalua mua dhe grupit të gazetarëve të disa kanaleve kombëtare shqiptare”, - shprehet Myrtaj. Pavarësisht këtij incidenti të rëndë dhe pa asnjë justifikim të qartë, personat që iu ndalua hyrja për në Greqi i janë bindur qëndrimit të policëve grekë dhe pa krijuar asnjë incident janë kthyer mbrapsht. Ndërkohë që ka vazhduar udhëtimin deputeti Dashamir Tahiri. Ky qëndrim absurd ka ndodhur si reagim emocional ndaj organizimit të tubimit dhe marshimit të organizuar nga PDIU në fshatin Kllogjer, ku gjenden varrezat masive të çamëve të dëbuar nga trojet e tyre prej forcave rezerviste rreth 67 vjet më parë. Vështirë të kuptohet se çfarë rreziku i vjen rendit dhe qetësisë së Igumenicës nga blloqet dhe kamerat e një grupi gazetarësh e kameramanësh, si dhe nga kryekomunari i Markatit. 
Partia
Deputeti u shpreh dje i indinjuar nga sjellja e policisë greke, që sipas tij, nuk kishte asnjë motiv zyrtar për të krijuar këtë incident mes palëve. Gjithsesi, ai u shpreh se për të përkujtuar këtë ditë janë mbledhur jo vetëm çamët, por edhe shqiptarë të Maqedonisë dhe nga lëvizja “Vetëvendosja” e Kosovës. “Ky nuk është pelegrinazhi i Çamërisë, por i të gjithë popullit shqiptar”, - kështu deklaroi kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Sipas tij, një marshim i tillë mbi të gjitha është detyrim moral që të mblidhen të gjithë së bashku.
(Sherif Kola, Enrik Mehmeti/Gazeta Shqitare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›