Sezoni, specialet e Tiranës marrin në administrim Plazhin
DURRËS- Ngjarjet e verës së shkuar në Durrës, ku u regjistruan një numër i konsiderueshëm vjedhjesh dhe krimesh kundër personit përfshirë edhe vrasjet, kanë detyruar drejtuesit e policisë që të detajojnë një skemë tjetër pune. Ata kanë listuar personat në kërkim, si dhe ato me prirje kriminale dhe kanë angazhuar forca dhe mjete për kapjen e tyre, në mënyrë që të garantohet sezoni turistik. Sipas të dhënave që ka arritur të sigurojë policia e Durrësit, rezulton se disa dhjetëra persona në kërkim, kanë zbarkuar në Durrës për të ushtruar aktivitetin e tyre. "Pjesa më e madhe e tyre janë vjedhës", - bëjnë të ditur burime nga policia e Durrësit. Ndërkaq forcave policore të Durrësit u janë bashkuar edhe Forcat Speciale nga Tirana. Ata do të veprojnë në bazë të një plani të detajuar që më parë, për të gjithë sezonin e verës. Ndryshe nga praktika e viteve të shkuara kur Forcat Speciale të Tiranës vinin në qytetin e Durrësit vetëm në ditët e fundjavës(kur dhe shënohet fluksi më i madh i pushuesve), këtë vit ata do të jenë "non-stop" në qytetin bregdetar.
(s.g/GSH/balkanWeb)
(s.g/GSH/balkanWeb)