E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti ne Rusi

Mjaftoi një objekt i rrezikshëm i hedhur në një fushë futbolli, atje në Shën Petersburgun e largët të Veriut rus, që të kuptojmë sesa pranë është fatkeqësia. Portieri i Dinamos së Moskës, Shunin, u godit me fishekzjarr në ndeshjen në fushën e Zenitit dhe menjëherë pas kësaj, klubi i tij moskovit kërkoi 3 pikët në tavolinë si dhe marrjen e masave që ngjarje të tilla të mos ndodhin më.
Një nga drejtuesit e Dinamos, Konstantin Aleksejev, është shumë i qartë. “Pozicioni ynë është që duhet të ketë dënime të ashpra që kjo të mos përsëritet në të ardhmen, ne gjithashtu kërkojmë fitoren teknike me rezultatin 3-0”.
Veçse kjo nuk pëlqen aspak klubit të kryeqytetit të vjetër të Rusisë. Menaxheri i përgjithshëm i tij, Maksim Mitrofanov, përgjigjet.
“Zeniti nuk kontrollon shitjen e biletave dhe nuk mund të ndikojë tek kontrollet e sigurisë. Ne nuk dimë se cilët ishin njerëzit që kryen këtë veprim dhe nga vinin. Mendojmë se Dinamo thjesht kërkon të përfitojë nga situata”.
Policia ruse ka ndaluar 53 vetë, ndërsa për portierin Shunin ekziston edhe rreziku për dëmtim të shikimit nga djegiet kimike. Veçse, në tetor ishin tifozët e Dinamos që sulmuan lojtarët e tyre gjatë stërvitjes. Pra, gjendja nuk duket aspak e mirë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›