Incidenti vdekjeprurës, minatorët padisin ACR
Prokuroria ka vijuar dje me marrjen në pyetje të punëtorëve dhe të drejtuesve të firmës. ACR: Kemi vepruar në bazë të rregullave
BULQIZË Tjetër padi e minatorëve të Bulqizës ndaj kompanisë koncesionare ACR. Lajmin e konfirmoi për “MAPO”-n presidenti i Sindikatës së Industrisë, Taf Koleci. Sipas tij, shkaktare e ngjarjes së të mërkurës ku mbeti i vdekur Naim Shyti dhe u plagosën tetë minatorë të tjerë, është firma austriake “Albanian Crom”. Ai tha se zyra juridike e Konfederatës së Shqipërisë është në pritje të rezultateve të hetimeve nga ana e prokurorisë dhe RISHM-i.
Padia
“Këshilli sindikal në mbledhjen e fundit të tij ka vendosur që të ngrejë një padi ndaj firmës ACR, pasi urdhri i dhënë nga Ministria e Ekonomisë nuk lejonte fillimin e punës në galeri. Ndërkohë, administrata e minierës ka urdhëruar minatorët të hyjnë në frontet e punës, paçka se ato kishin përqindje të lartë gazi”, - deklaroi Koleci. Dje minatorët janë rikthyer në vendet e tyre të punës, por jo në nivelet 16 e 17, pasi aty ende ka prani të lartë të gazit të dëmshëm. Prokurorë të ardhur nga Tirana dhe Peshkopia kanë nisur grumbullimin e provave dhe fakteve rreth shpërthimit të fuqishëm. Janë marrë në pyetje më shumë se 30 persona, kryesisht minatorë dhe drejtues të ACR-së në qytetin e Bulqizës. Grupi hetimor nuk jep të dhëna, por thuhet se është “sekuestruar” i gjithë dokumentacioni i ACR-së, urdhrat, vendimet, listë-prezencat, faturat e furnizimit me lëndë plasëse, planet e punës, akt-verifikimet e RISHM-it etj. Të gjitha këto do të hedhin dritë mbi ngjarjen e pazakontë. Ndërkaq mësohet se minatorët e plagosur, disa prej tyre kanë qenë nën presion dhe kanë ndryshuar pohimet e tyre. Burime të rezervuara thanë se drejtues të ACR-së kanë shpërndarë të holla për minatorët e plagosur dhe u kanë kërkuar atyre të heshtin. Tri ditë pas ngjarjes tragjike, drejtues të ACR-së kanë ngushëlluar familjen Shyti dhe u kanë uruar shërim të shpejtë minatorëve të plagosur.
ACR
Kompania austriake ACR konfirmoi dje me anë të një deklarate shtypi se, për sa i përket rrethanave të aksidentit tragjik dy ditë më parë, kompania tha se ka vepruar brenda të gjitha urdhëresave të ministrisë dhe RISHM-it. “ACR sqaron se ka përmbushur të gjitha urdhëresat e dhëna nga METE dhe i është përmbajtur akt-inspektimeve të RISHM-it në veprimtarinë e saj për kthimin e minierës në kushte pune”. Kompania ACR thekson në deklaratën e shtypit se është në pritje të raportit përfundimtar të RISHM-it për rrethanat që shkaktuan aksidentin tragjik. “ACR ka vënë në dispozicion të grupit hetimor dokumentacionin e nevojshëm dhe ka krijuar të gjitha lehtësitë për hetimin e kësaj çështjeje. RISHM në bashkëpunim me strukturat e ACR-së kanë marrë masa dhe po bëjnë eliminimin e avarisë. Edhe pse ACR-ja është e bindur se ka vepruar brenda të gjitha urdhëresave dhe raporteve të mëparshme, do të jetë në pritje të një raporti përfundimtar për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit”.