Prefektura, masa për dhënien e vërtetimeve të gjakmarrjes
Nis hetimi nga autoritetet vendase për të zbuluar skemën abuzive për dhënien e vërtetimeve, që më pas iu jepte atyre të drejtën e kërkimit të azilit
SHKODËR Prefektura e Qarkut të Shkodrës ka marrë të gjitha masat që të frenojë fenomenin e lëshimit të vërtetimeve nga shoqatat apo komunat për familjet që kanë probleme gjakmarrjeje. Kjo është pohuar nga ana e sekretarit të përgjithshëm të Prefekturës së Shkodrës, Fatbardh Sheqi. Sipas tij, institucioni i Prefektit i ka dhënë garancinë palës belge për ndalimin e këtij fenomeni, që ka pasur rritje të ndjeshme gjatë muajit të fundit. “Ne do të punojmë maksimalisht dhe në mënyrë korrekte që nga Qarku i Shkodrës të mos ketë eksportues shqetësimesh për anëtarët e BE-së dhe të mos krijohen perceptime negative për shoqërinë shqiptare dhe shumicën e saj”, - ka thënë Sheqi. Mësohet se brenda pak ditësh do të ketë një mbledhje urgjente me 33 drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore, me qëllim analizimin dhe marrje e masave për të frenuar dhënien e vërtetimeve për fenomenin e gjakmarrjes, që përdoren nga shtetas shqiptarë si argumente për të fituar azil politik dhe që rrezikojnë të paralizojnë liberalizimin e vizave. Gjithashtu mësohet se policia shqiptare, Shërbimi Informativ dhe autoritetet e tjera të vendit kanë nisur hetimet në lidhje me skemën e abuzimit me vërtetimet e hasmërisë që përdoren për të kërkuar azil në vendet e zonës “Shengen”.
Shoqatat
Dy ditë më parë, sekretari i Misionit të Pajtimit e Paqes në Shqipëri, Nikollë Shyllani ka pohuar se “nuk kemi lëshuar dokumente false për familjet në hasmëri, dhe pas daljes publike të ministrit të Brendshëm duke folur për këtë problem, kemi kthyer prapa të gjithë ata që janë drejtuar tek ne për të marrë një vërtetim të tillë”. Ai pohon se ka pasur fluks kërkesash kohët e fundit, por shoqata ka lëshuar vërtetime vetëm për ato familje apo persona që kanë paraqitur dokumentin e lëshuar nga pushteti vendor, i cili pohon se ata janë në konflikt gjakmarrjeje. “Pas daljes publike të ministrit Bujar Nishani, shoqata jonë ka ndërprerë dhënien e këtyre vërtetimeve duke i kthyer prapa kërkuesit”, - shton Shullani.
Alarmi
Disa ditë më parë në një takim me homologun e tij shqiptar, drejtori belg i Emigracionit dhe Azilit, Freddy Roosemont ka sjellë në Tiranë një listë me të paktën 150 emra azilkërkuesish abuzivë, një pjesë e të cilëve ndodhen në Belgjikë, por që pritet të kthehen së shpejti në Shqipëri. Zyrtari belg ka premtuar se brenda pak javësh vërtetimet false të paraqitura në kërkesat për azil, së bashku me listën e 240 personave, do të mbërrijnë në Tiranë për t’u vënë në dispozicion të policisë. Sipas burimeve zyrtare, personat që kanë mashtruar qytetarët dhe u kanë dhënë vërtetime me para me pretendimin se do të fitonin azil, rrezikojnë të akuzohen për falsifikim dhe vjedhje me anë të mashtrimit, por edhe qytetarët që bëjnë kërkesa të tilla rrezikojnë ndjekjen penale me akuzën e njoftimit apo kallëzimit të rremë.