Indeksi ekonomik, BB: Rritja ekonomike në Shqipëri, 3.7% për vitin 2011
Ervin KOÇI
Shqipëria do të ketë një rritje ekonomike vetëm 3.7 për qind për vitin 2011. Ky është parashikimi që ka bërë Banka Botërore në indeksin më të fundit të saj për rritjen ekonominë botërore sipas GDP-së. Sipas analizës së BB-së, Shqipëria gjatë viteve të fundit ka pasur një ecuri të mirë të rritjes ekonomike e krahasuar edhe me vendet e tjera të rajonit, si dhe duke pasur parasysh goditjet që mori ekonomia botërore si pasojë e krizës. Sipas indeksit të BB-së, nga viti 2009 deri tani rritja ekonomike parashikohet të vij duke u rritur në përqindje. Në vitin 2009 kjo rritje ishte vetëm 2.5 për qind e PBB-së, gjatë vitit që sapo lamë pas (2010), vendi ynë e kishte këtë rritje 3 për qind dhe këtë vit rritja parashikohet të jetë më e mirë me rreth 3.7 për qind. Sipas parashikimeve të BB-së, rritja ekonomike për Shqipërinë në vitin e ardhshëm, pra 2012 rritja ekonomike do të shkojë deri në 4.2 për qind të PBB-së, në një kohë që për shumë vende të botës kjo rritje parashikohet që të ulet dhe të jetë jo e mirë.
Rritja në botë
Rritja ekonomike globale do të ngadalësohet këtë vit, me vende në zhvillim si India dhe Kina që do të sigurojnë pjesën më të madhe të rritjes, thekson Banka Botërore në raportin më të fundit të saj të Indeksit Ekonomik Botëror. Banka vlerëson se rritja e DGP-së globale do të jetë 3.3 për qind këtë vit kundrejt 3.9 për qind që ishte vitin e kaluar, teksa tregjet e reja do të rriten me 6 për qind. Këto norma nuk do të jenë të mjaftueshme për reduktimin e papunësisë në ekonomitë më të goditura. Banka Botërore paralajmëroi se “tensionet dhe kurthet serioze” do të vazhdojnë edhe për këtë vit. Banka gjithashtu u shpreh shumë e shqetësuar lidhur me rritjen e çmimeve të ushqimeve, ku sipas saj parashikohet një krizë urie në shumë vende të varfra dhe në zhvillim. Kina parashikohet se do të ketë një rritje ekonomike me 8.7 për qind, India me 8.5 për qind, teksa vendet e pasura, kolektivisht parashikohet të kenë një rritje me 2.4 për qind.
Liria ekonomike
Shqipëria ndërkohë ka zbritur dy shkallë më poshtë në renditjen botërore të lirisë ekonomike, bëhet e ditur nga “Wall Street Journal”, e cila në bashkëpunim me “Heritage Foundation”, vlerëson çdo vit aspekte të ndryshme të ekonomisë së vendeve, që lidhen me mundësitë për të bërë biznes në to. Kjo gazetë prestigjioze raportoi të enjten se Shqipëria është në vendin e 70-të, midis 189 vendeve të marra në analizë ndërkohë që vitin e kaluar zinte vendin e 68-të. Shqipëria, sipas këtij vlerësimi, ka hedhur hapa prapa në korrupsion, taksa e investime. Vlerësimi bëhet mbi bazën e dhjetë përbërësve të lirisë ekonomike, që vlerësohen nga një shkallë pikësh nga 0 në 100, ku 100 përfaqësojnë lirinë maksimale. Faktorët që merren në konsideratë janë liria e biznesit, liria e tregtisë, liria fiskale, shpenzimet e qeverisë, liria monetare, liria e investimeve, liria financiare, të drejtat mbi pronësinë, liria nga korrupsioni dhe liria e punës.
Tab//////////////////////////////////
Rritja ekonomike e Shqipërisë në vitet e fundit e shprehur në përqindje (GDP)
Viti Shkalla e rritjes %
2007 6.0%
2008 7.5%
2009 2.5%
2010 3.0%
2011 3.7%
2012 4.2%
BOX///////////////////////
DASH: Ekonomia shqiptare është përmirësuar vitet e fundit
Departamenti amerikan i Shtetit, ka përditësuar të dhënat për Shqipërinë duke nënvizuar se ekonomia e këtij vendi është përmirësuar në mënyrë thelbësore gjatë viteve të fundit, duke lënë pas vendet e tjera të rajonit. Megjithatë, Shqipëria konsiderohet ende si një nga vendet më të varfra të Europës. Sipas të dhënave paraprake nga Banka Botërore, 12.4% e popullsisë jetonte nën limitin e varfërisë në vitin 2008 dhe ky është një përmirësim i ndjeshëm duke pasur parasysh se në vitin 2002 kjo shifër ishte 25.4%. Papunësia sipas të dhënave zyrtare në Shqipëri është 12.75%. Sipas këtyre të dhënave, sektori i turizmit ka pësuar një rritje të ndjeshme. Ekonomia shqiptare nuk u prek nga kriza botërore, ndërsa pësoi rritje prej 2.8% në vitin 2009 sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.
USAID-i përmirëson klimën e biznesit në Kosovë
Zyrtarë të USAID-it prezantuan dje programin për përmirësimin e mjedisit afarist në Kosovë. Objektiv i këtij programi është krijimi i mjedisit më të mirë ligjor për operimin e bizneseve, dhe inkurajimi i legalizimit të atyre që funksionojnë në ekonominë joformale. Bizneset në Kosovë duhet të kenë një mjedis më të përshtatshëm për operimin e tyre dhe kushte të barabarta në treg. Brajan Kempell, tha se nevojitet të përmirësohet mjedisi ligjor, me qëllim të lehtësimit të kushteve për funksionimin e bizneseve në Kosovë pasi ata përballën sipas tij, me vështirësi të shumta. Ai theksoi se Kosova duhet të përmirësojë treguesit në të cilët bazohet Banka Botërore gjatë hartimit të raportit për të bërë biznes. Ndryshe, përfitues të këtyre granteve do të jenë organizatat vendore që punojnë në drejtim të përmirësimit të mjedisit afarist vendor.
Veriu i Mitrovicës, ATK-ja synon disiplinimin fiskal
Administrata Tatimore e Kosovës synon që në të ardhmen të futë në proces të pagimit të tatimeve edhe veriun e Mitrovicës, ku sipas të dhënave të këtij institucioni shuma e borxheve të serbëve është rreth 7.5 milionë euro. Ruzhdi Zenelaj, menaxher në ATK, tha se totali i identifikuar i serbëve të regjistruar si subjekte tregtare është 1030, ku prej tyre 907 janë subjekte individualë 123 janë biznese. Synim i ATK-së mbetet hapja e një zyre ku edhe veriu i vendit do të mund të inkuadrohet direkt në pagesën e tatimeve. Sipas zëdhënësit të Doganave të Kosovës, Adriatik Stavilecit, ekzistojnë njësi të veçanta të doganave që bashkëpunojnë vazhdimisht me ATK-në dhe me Policinë e Kosovës, ku bëhen kontrolle të vazhdueshme në raste të caktuara. Veriu i vendit paraqitet si një problem politik, ku ATK-ja nuk e ka hapësirën e duhur që të funksionojë në atë pjesë.
Mungesa e qeverisë, BQK-ja akoma pa Guvernator
Vonesat në krijimin e institucioneve vendore po sjellin edhe pasoja në funksionimin e Bankës Qendrore të Kosovës. Ky institucion ka muaj që vazhdon punën me ushtrues detyre, gjë që po sjell shumë zbrazëtira anësore në politikën monetare. Njëra ndër to është edhe performanca e sektorit bankar. Ekspertët vlerësojnë se politikat monetare nuk janë të mirëfillta. Me ligjin “Për BQK-në”, bordi i kësaj banke duhet që gjatë këtij viti të marrë së paku 10 vendime. Prej tetorit të 2010-së, kur bordi i BQK-së vendosi për shkarkimin e guvernatorit Rexhepi, nuk është marrë asnjë vendim tjetër. Me këtë ligj nuk parashihet se sa mund të qëndrojë një guvernator si U.D. në krye të kësaj banke. Sidoqoftë, zyrtarë në BQK-ë thonë se, sipas ligjit, ky institucion mund të funksionojë me ushtrues detyre deri në plotësimin e pozitës së guvernatorit.
Serbia nuk e zgjat kontratën me "Gazprom"-in
BEOGRAD - Qeveria serbe nuk ka zgjatur kontratën me kolosin rus të naftës "Gazprom", duke i dhënë fund monopolit rus në tregun vendas. Në vitin 2008 "Gazprom" bleu 51 për qind të aksioneve të kompanisë serbe të naftës "NIS", të cilat do t'i zotëronte deri në 2011-ën. Kompania ruse kërkoi zgjatjen e kontratës edhe për një vit, por Beogradi refuzoi duke paraqitur detyrimet e BE-së për reformat e tregut të lirë. Dhënia e shumicës së aksioneve kolosit rus dy vjet më parë u konsiderua si një shkëmbim që Serbia po i bënte Rusisë ndaj vetos së kësaj të fundit kundër pavarësisë së Kosovës.
15 Janar 2011