Tarifat doganore, sa do të paguhet për mallrat e akcizës në 2011-n
Ervin KOÇI
Tarifat doganore kanë ndryshuar sërish për këtë vit, ku për një pjesë të mallrave ato do të vazhdojnë të bien, në një kohë që për një pjesë tjetër ato do të rriten. Prej janarit disa produkte nuk do të taksohen, pra për to niveli i tarifës doganore është bërë 0, ndërsa për produkte të tjera ka ulje të ndryshme. Tek detergjentet e lëngëta për pastrim dhe higjienë, pllakat ngjitëse, filmat, etj., tarifat doganat ulen nga 11,3 në 8,9 për qind. Edhe tek disa produkte të tjera higjienike, prodhime bujqësore, mishi, qumështi, kafeja dhe prodhime të tjera do të ketë ulje të tarifave doganore. Ndërsa, produktet farmaceutike apo produkte të tjera si fishekzjarrët do të kenë tarifë doganore deri në 0. Tarifa doganore e lartë deri në 15 për qind do të jetë e pandryshuar për disa lloje drithërash, ku përfshihen gruri dhe misri apo nënproduktet e tyre. Edhe për prodhimet e tjera, si veturat, prodhimet e metalit, mineralet, minierat, metalet, veshjet, makineritë, dhe përgatitjet dhe prodhimet e tjera të importuara nga Bashkimi Evropian pritet të kenë reduktim të tarifave, duke sjellë lehtësim të importeve për prodhimet e ndryshme nga vendet e BE-së, apo edhe më gjerë.
Nomenklatura e re
Ndryshimet në nomenklaturën e tarifave doganore përfshijnë edhe mallrat e importit edhe ato të eksportit, të cilat janë me kode dhe grupime të reja, sipas standardeve të BE-së. Rishikimi i nomenklaturës përfshin edhe përditësimin e tarifave doganore, duke qenë se për disa artikuj që importohen ato vijnë në ulje vit pas viti. Nomenklatura e mallrave, sipas kodeve përkatëse, aplikohet për të pasur një instrument të vetëm, që do të mundësonte administrimin në të njëjtën kohë të tarifës doganore, të statistikave të tregtisë së jashtme dhe të politikave të tjera, që lidhen me mallrat dhe lëvizjen e tyre. Në rishikimin e nomenklaturës së mallrave janë përfshirë edhe dispozita speciale, për mallrat për kategori të caktuara të anijeve, vaporeve dhe mjeteve të tjera lundruese dhe për platformat shpuese apo të prodhimit. Sipas kësaj dispozite, taksat doganore pezullohen për mallrat që janë të destinuara për t’u trupëzuar në anije, vapore apo mjete të tjera lundruese, për qëllime të ndërtimit, riparimit, mirëmbajtjes apo konvertimit dhe për mallrat që janë të destinuara për të përshtatur apo pajisur të tilla anije, vapore apo mjete të tjera lundruese. Rishikimi i nomenklaturës tashmë është një detyrim që kryhet çdo vit nga qeveria dhe hyn një fuqi në fillim të çdo viti, duke plotësuar kështu detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet e tregtisë së lirë në Bashkimin Evropian.
Ndalimi i importit
Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1 dhe 155 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Shqipërisë vendosi: Nivelet tarifore të disa artikujve, të përcaktuar në lidhjen nr. 1 të ligjit nr. 9981, datë 8.9.2008 “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar, ndryshojnë sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij ligji.
Ndalohet importimi në Republikën e Shqipërisë i mbeturinave urbane me kod doganor
38251000, llumrave të ujërave të zeza me kod doganor 38252000 dhe mbeturinave klinike me kode doganore 38253000, 38254100 dhe 38254900. Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Tab. 1///////////////////////////////////////////
Tarifat doganore për një pjesë të artikujve në përqindje
1. Kafshët e gjalla 10%
2. Produktet Vegjetale 15%
3. Produktet Minerale 10%
4. Produktet e industrisë kimike 2-10%
5. Plastikat dhe artikujt 6%
6. Tekstilet 10%
7. Veshjet e këmbëve dhe kokës 10-15%
8. Makineri dhe pajisje mekanike 0-2%
9. Vajra e dhjamëra prej kafshëve 0-10%
10. Ushqimet e përgatitura dhe pijet 0-15%
11. Lëkurët e papërpunuara 2-10%
12. Druri dhe artikujt prej druri 0%
13. Perlat natyrore ose të kultivuara 2-15%
14. Metalet bazë dhe artikujt 0-2%
15. Armët dhe municionet 15%
16. Fishekzjarrët 6%
17. Veprat e artit 0%
Rezervat speciale për bankat dhe shoqëritë e sigurimit
Në përcaktimin e fitimit të tatueshëm të bankave dhe të shoqërive të sigurimit janë
shpenzime të njohura rezervat teknike, të krijuara në përputhje me ligjin “Për veprimtarinë e sigurimit, të risigurimit dhe ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime” dhe provizionet e bankave, të krijuara në përputhje me standardet e hartuara nga Bordi i Standardeve Kontabël Ndërkombëtare dhe të certifikuara pa vërejtje nga auditues të jashtëm, por, në çdo rast, pa tejkaluar masën e përcaktuar në rregullat e Bankës së Shqipërisë për këtë qëllim. Shumat e rimarra nga këto rezerva apo provizione i shtohen fitimit të tatueshëm”.
Pjesëmarrjet që përjashtohen nga tatimi mbi fitimin
Në përcaktimin e fitimit të tatueshëm të një personi rezident përjashtohen, si të ardhura,
dividendët dhe ndarjet e fitimit, kur ato shpërndahen nga shoqëritë e ortakëritë rezidente dhe shoqëritë jorezidente të huaja, që janë subjekte të tatimit mbi fitimin, pavarësisht nga kuota e pjesëmarrjes, në vlerë ose në numër, të kapitalit aksionar, të së drejtës së votës apo të pjesëmarrjes në kapitalin fillestar apo aksionar të përfituesit.
Parapagimet për tatimin mbi fitimin
Në rastin kur tatimpaguesi, në çdo kohë, gjatë periudhës tatimore, vërteton para
organeve tatimore se tatimi mbi fitimin për këtë periudhë tatimore do të jetë, në mënyrë
domethënëse, më i ulët se tatimi mbi fitimin në periudhën paraardhëse ose periudhën e dytë paraardhëse, atëherë organet tatimore pranojnë zvogëlimin e parapagimeve, sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Financave. Në rast se subjekti taksapagues ka ulur këstet e parapagimit, të caktuara nga organi tatimor, dhe detyrimi tatimor vjetor për tatimfitimin, që rezulton nga bilanci, tejkalon parapagimin me më shumë se 10 për qind, subjekti duhet të paguajë interes mbi diferencën ndërmjet detyrimit real vjetor dhe shumës së parapaguar gjatë vitit, sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Financave.
14 Janar 2011