Zgjedhjet vendore “hanë” më shumë para se të përgjithshmet
TIRANË – Zgjedhjet vendore do të jenë më të kushtueshme se ato të përgjithshmet.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje në parim, vetëm me votat e përfaqësuesve të maxhorancës, vendimin për miratimin e strukturës së shpenzimeve buxhetore për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore 2011. Në buxhetin e ri, KQZ-ja ka përcaktuar blerjen e kutive të reja, pavarësisht se kutitë aktuale u boshatisën me djegien e fletëve. ”Kutitë e materialeve zgjedhore që kemi janë kuti së pari të përshtatura, janë konsumuar për shkak të kohës, janë të përbëra nga material plastik i sertë, i cili thyhet, në kundërshtim nga kutitë e votimit dhe ju konstatoni që një pjesë e tyre janë thyer. Atëherë do të na duhet të marrim kuti të tjera duhet krijuar dhe rezervën”, - tha Ristani.
Buxheti
Zgjedhjet vendore, të majit të këtij viti, pritet të jenë më të shtrenjta se zgjedhjet e përgjithshme të qershorit. KQZ-ja ka koston financiare të vendorëve, ku zgjedhjet do të kushtojnë 745.6 milionë lekë, ose rreth 30 milionë lekë më shtrenjtë se zgjedhjet e qershorit të vitit 2009. Kostoja për çdo zgjedhës llogaritet në 241.7 lekë, kurse në qershor kjo shifër ishte 203 lekë. Në zgjedhjet e qershorit, për herë të parë u përdor sistemi i numërimit të votave me kamera, që kushtoi 120.4 milionë lekë. Kjo kosto pritej t’i zbritej zgjedhjeve të majit, por që në fakt nuk ndodhi kështu.
Pagesat
Nga ana e KQZ-së, rritja e buxhetit për zgjedhjet justifikohet me 4 argumente; me rritjen e nivelit të pagave, blerjen e kutive të reja të materialeve zgjedhore, blerje pajisjesh shtesë për kamerat, si dhe rikonstruksionin e magazinave të KQZ-së në Lundër. Në tabelën e mëposhtme jepen të detajuara pagesat për të gjitha profilet e punës së procesit zgjedhor dhe shërbimet.
Mbledhja e KQZ-së u zhvillua pikërisht në kohën kur po bëhet mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të PS-së. “Ne, vërtet jemi propozuar nga politika, por nuk kemi asnjë lidhje me të. Kemi detyrë të bëjmë zgjedhjet”, - tha kreu i KQZ-së, duke argumentuar vijimin e procedurave për miratimin e buxhetit, ndonëse nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e PS-së.
KOSTOJA
528 anëtarë në KZAZ-ve
Shpërblimi
65 000 lekë për kryetarin dhe zv.kryetarin
60 000 lekë për anëtarët dhe sekretarin
38 888 anëtarët e KQV-ve
Shpërblimi
4000 lekë për kryetarin dhe zv.kryetarin
3500 lekë për anëtarët dhe sekretarin
3032 anëtarë në GNV
Shpërblimi sipas ditëve
6000 lekë/anëtar GNV-je
40 trajnerë për 8 ditë trajnimi të anëtarëve të KZQV-ve
250 trajnerë për 8 ditë trajnimi të anëtarëve të KQV-ve
71 trajnerë për 4 ditë trajnimi të anëtarëve të GNV-ve
4500 lekë, tarifa ditore për një trajnues
11.7 milionë lekë, kostoja totale e shpërblimit të trajnuesve
70 000 lekë, paga e kryetarit të bordit të monitorimit të mediave
5000 lekë për anëtarët e bordit të monitorimit të mediave
106 milionë lekë, shërbimi i ri për kamerat e numërimit të votave, si dhe një shërbim regjie televizive
ODIHR-i dërgon mision vlerësues për zgjedhjet vendore në kulmin e krizës
Nuk ka nisur ende puna e komisionit dypalësh për reformën
TIRANË – Në kohën kur nuk ka nisur ende puna për realizimin e reformës zgjedhore për procesin e 8 majit, pritet të vijë në Tiranë misioni i ODIHR-it, i cili do të bëjë vlerësimin paraprak të procesit. Me përjashtim të sherreve politike dhe akuzave, nuk është bërë asgjë për përmirësimin e qoftë edhe një pike të 43 rekomandimeve që la raporti përfundimtar i zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit 2009. Burimet zyrtare të OSBE-së në Tiranë njoftuan dje se “pas marrjes së ftesës për të vëzhguar zgjedhjet e qeverisjes vendore në Shqipëri, të planifikuara për më 8 maj 2011, ODIHR-i do të dërgojë në vend një mision për vlerësimin e nevojave, nga data 17 deri më 21 janar”. Sipas tyre, “synimi i misionit është të vlerësojë mjedisin parazgjedhor dhe përgatitjet për zgjedhjet e të rekomandojë nëse është e nevojshme një veprimtari e ODIHR-it lidhur me zgjedhjet dhe, nëse po, çfarë lloj veprimtarie, për shembull, një mision vëzhgues apo vlerësues, do t’u përgjigjej më mirë nevojave të identifikuara”. “ODIHR-i do të publikojë raportin me gjetjet dhe rekomandimet e tij pak kohë pas përfundimit të misionit”, - thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat.
Anëtarët e misionit të vlerësimit të nevojave do të takohen me përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ministrisë së Brendshme, Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit, si dhe me përfaqësues të partive politike, medias, shoqërisë civile dhe bashkësisë ndërkombëtare. Por, ky mision vlerësimi vjen në momentin kur mosmarrëveshjet politike kanë bllokuar çdo hap për nisjen e punës së komisionit për reformën zgjedhore. Presidenti ka dekretuar sipas afatit kushtetues datën e zhvillimit të procesit për zgjedhjen e krerëve të pushtetit vendor dhe kur po sosen ditët nuk ka asnjë hap për realizimin e detyrave të shtëpisë që la OSBE/ODIHR-i në mbyllje të procesit të qershorit. Propozimet kanë të bëjnë me ndryshimet e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e kuadrit ligjor për financimin e partive, regjistrimin e kandidatëve, realizimin e kuotave për gratë e zgjedhura, çështjen e listave, rolin e mediave, anketimet dhe apelit etj. Më poshtë janë disa prej 43 rekomandimeve në total që la raporti i ODIHR-it në mbyllje të zgjedhjeve parlamentare.
Pikërisht në ditën që misioni vlerësues i ODIHR-it mbyll misionin e tij në Tiranë, partitë opozitare organizojnë një miting në kryeqytet ku i kërkohet qytetarëve që të rrëzojnë qeverinë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
DISA REKOMANDIME
Për të siguruar që partitë të mund të konkurrojnë me njëra-tjetrën mbi baza të barabarta, siç kërkohet nga paragrafi 7.6 i Dokumentit të Kopenhagës të OSBE-së, të gjitha dispozitat që bëjnë dallime mes partive politike duhet të hiqen nga Kodi Zgjedhor.
Mungesa e njëtrajtshmërisë midis neneve 144 dhe 145/1 të Kodit Zgjedhor duhet zgjidhur për të siguruar njëtrajtshmëri të mëtejshme në dispozitat për financimin e fushatës. Gjithashtu, raportet për financimin e partive duhet të bëhen publike
Kodi Zgjedhor duhet ndryshuar me qëllim shmangien e një situate ku shpallja e pavlefshme e zgjedhjeve në një numër të vogël qendrash votimi të një zonë të vetme zgjedhore mund të çojë në përsëritje pa fund dhe në një vonesë të panevojshme për mbledhjen e Kuvendit të ri.
Të parandalojë partitë propozuese që të largojnë në mënyrë arbitrare të propozuarit e tyre. Partitë duhet të gëzojnë të drejtën e zëvendësimit të anëtarëve të komisionit vetëm në rrethana të veçanta të renditura në mënyrë shterruese. Kjo do të rriste qendrueshmërinë, pavarësinë, paanshmërinë dhe profesionalizmin e administratës zgjedhore.
Roli dhe kompetencat e zyrave zgjedhore rajonale duhet të përkufizohen në Kodin Zgjedhor
Rregullimi i përcaktuar në nenin 16 të Kodit Zgjedhor, që lejon partitë të regjistrohen pranë KQZ-së me marrëveshje koalicioni me "listë shumemërore të përbërë", duhet të hiqet. Partia duhet të paraqitet në fletë votimi ose si parti, ose si anëtare e një koalicioni, por jo në të dyja format.
15 Janar 2011