Kompleksi i kulakut dhe inflacioni i akuzës
Ermal Hasimja
Botimi i pasurive të zyrtarëve dhe personazheve kryesorë politikë në vend është, me sa duket, ngjarje e shënuar për të uriturit e lajmeve në Shqipëri dhe kryesisht për politikanët dhe mediat. Të parët, sepse mund të freskojnë monotoninë e akuzave me ca shifra të interpretueshme dhe të dytët, sepse mund të ushqejnë para-gjykimet e votuesve për politikanin që rrjep popullin. Përtej vlerës argëtuese të deklaratave politike dhe presupozimeve mediatike, botimi i pasurive dhe sidomos interpretimi i tyre paraqet disa probleme është interesante të vëresh p.sh. me sa vrull e pasion përfaqësues të maxhorancës, domethënë cilido që ka bekimin dhe tekstin e Berishës, sulmojnë përfaqësues të opozitës në lidhje me pasuritë e tyre. Akuzat nuk lidhen dhe aq shumë me atë që këta të fundit kanë, por me atë që presupozohet se kanë, ose më saktë, me atë që supozohet se kanë fshehur. Për shembull, akuzohet Rama se ka fshehur pasuritë e tij përrallore dhe tallet me shqiptarët duke treguar vetëm rrogën e tij modeste, që ndoshta nuk i del as për çorapet dhe kravatat me dizajno të çuditshëm. Ajo që të shpëton herë pas here është sensi i përgjegjësisë që duhet mbajtur në një situatë të tillë. Nëse Rama paska fshehur pasuri të tilla në cilësinë e personit më të korruptuar në Shqipëri, ose ndoshta edhe në planet, apo në cilësinë e kryetarit të mafias shqiptare ose të paktën e kumbarit të saj, më rezulton një problem i madh jo me të, por me ata që mbajnë përgjegjësi për ndalimin e veprimtarive të tilla. E thënë ndryshe: si ka mundësi që maxhoranca të shpallë publikisht dështimin e saj të plotë në mosvënien përpara drejtësisë të këtij personi kaq të rrezikshëm për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare? Si ka mundësi që maxhoranca as nuk e fsheh paaftësinë e saj për të zbuluar të pabërat e këtij keqbërësi madhor, por i bën të ditura publikisht dhe me forcë e krenari, madje pa shfaqur as pikën më të vogël të sikletit apo vrasjes së ndërgjegjes për paaftësinë e saj? E kam të vështirë ta përfytyroj Sali Berishën duke akuzuar ndonjë keqbërës tjetër se ka vjedhur apo ka fshehur paratë diku: zakonisht i çon në prokurori... dhe shumë mirë bën, se prandaj është votuar. Këtu na dalin disa pyetje? Së pari: përse nuk e bën këtë: pra përse nuk e çon informacionin e sigurt që ka për Ramën në prokurori? Pse nuk na tregon të gjithëve shpellat e Ali Babës ku Rama ka fshehur thesaret e tij? E kam fjalën me adresë të saktë, jo me llafe Parlamenti. Sepse natyrisht duhet t'i ketë, meqë dikush në këtë nivel politik nuk mund t'ia lejojë vetes imagjinatën e tepruar, besimin e verbër ndaj vartësve shpifarake (që Berishës i janë ngjitur gjithmonë si mizat mjaltit), apo ...larg qoftë...shpifjen. Pyetja e dytë është akoma më e sikletshme: si ka mundësi që publiku tregohet më i vëmendshëm ndaj akuzave sesa ndaj kësaj mungese të përgjegjësisë nga ana e maxhorancës? Mos ndoshta jemi mësuar me kulturën e akuzës? Apo nuk presim aspak nga Qeveria të gjejë keqbërësit, por vetëm të na argëtojë me akuza? Si nuk na bie në sy aspak kjo papërgjegjshmëri e hareshme e policit që na tregon sa i suksesshëm dhe ironik është hajduti?
Problemi tjetër lidhet me mentalitetin, paragjykimet dhe stereotipat që kemi të rrënjosura në kokë. Komunizmi nuk ka vdekur, ai jeton në kokën tonë. Nuk ka asnjë arsye tjetër për të shpjeguar faktin që pasuritë e politikanëve tregohen me gisht dhe mjaftojnë vetëm shifrat për të nënkuptuar akuzën. Jemi një vend ku pasuria nënkupton vjedhje, korrupsion, mashtrim, xhambazllëk, informalitet domethënë shkurt e troç maskarallëk. Jetojmë në një vend ku opinioni i gjithëpërhapur e sundues përcakton që çdokush që ka njëfarë pasurie duhet t'i vijë turp nga vetja e nga të tjerët, sepse domosdoshmërisht nuk e meriton. Ky është kompleksi i kulakut, i spekulatorit dhe i tregtarit gjakpirës që fsheh në kopshtin e tij qypat me floririn e fituar nga djersa e gjaku i të tjerëve. Ky është mentaliteti që shfaqin mediat tona, teksa na rrëfejnë pothuajse me vrer "milionat e politikanëve" a thua se milionat në vetvete përbëjnë akuzë apo se presupozojnë diçka që duhet parë me frikë.
Në ekonominë e tregut, milionat, qoftë edhe ato të politikanëve, mund të tregojnë vetëm dy gjëra. Ose mund të tregojnë para të pista dhe si të tilla duhen kapur e vënë përpara drejtësisë nga një qeverisje që jo thjesht e imagjinon krimin e organizuar, por edhe e ndëshkon. Ose mund të tregojnë punë të ndershme e me sakrifica, lodhje, përballje me një shtet historikisht anti-biznes dhe rrjepje nga një administratë e korruptuar. Qeveria nuk mund të pranojë të dytën, duke nënkuptuar të parën. Ose të bëjë detyrën duke kapur hajdutët, ose të mbyllë gojën e të vazhdojë punën, paralelisht me hetimet.
Inflacioni i akuzës nuk i hyn në punë askujt. Ai vetëm bjerr pareshtur atë copë kredibilitet të mjerueshëm që u ka mbetur elitave tona politike, pa dhënë asnjë rezultat në performancën e qeverisjes dhe pa ndryshuar asgjë për të mirë në jetën e qytetarit. Qytetarët kanë votuar për udhëheqës, jo për bejtexhinj.