E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, përplasje në Parlament



Erald Kapri

Vetëm një ditë para fillimit të Kampionatit Botëror të Futbollit, maxhoranca dhe opozita zëvendësuan dje në Kuvend fjalorin e politikës me atë të futbollit. Krerët e grupeve parlamentare të PD-së e PS-së, Astrit Patozi e Gramoz Ruçi, iu referuan Fair-play-it për të paralelizuar ngërçin politik, trukimeve në vend të vjedhjeve të zgjedhjeve, apo arbitër për ndërkombëtarët. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, u kërkoi deputetëve të opozitës se gjatë kohës së Kampionatit Botëror, të mos lodhin më shqiptarët me kërkesat e tyre për të hapur kutitë. Madje sipas tij, nga futbolli, deputetët e opozitës do të kenë mundësi të mësojnë shumë për politikën. “Mund t’ju vijnë në ndihmë edhe juve sepse aty shpirti i garës, fair-play janë simbole që mund t’ju vijnë në ndihmë. Aty ju mund të mësoni se kur një ekip humbet dhe kur arbitri vërshëllen tri herë, humbësi i jep dorën fituesit, aty ju mund të mësoni se për të fituar një kompeticion tjetër duhet që përgatitja të fillojë që ditën kur kundërshtari ngre Kupën, aty ju mund të mësoni që kur gjyqtari vërshëllen, respektohet vendimi i tij. Aty ju mund të mësoni që kompeticioni tjetër vjen shumë shpejt dhe në rast se ju nuk stërviteni, sigurisht që do ta humbni edhe atë”, tha Patozi. Me të njëjtën gjuhë ishte edhe përgjigja e kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili tha se “keni 10 muaj që ky topi politik është në fushën tuaj. E nxirrni jashtë, gjuani shtyllë, bile po i bini shtyllës me kokë”. Sipas Ruçit, opozita ka pranuar golin dhe nuk ka folur për arbitrim të keq, por për trukim rezultati, i cili duhet të hetohet e dënohet. “Ne kemi 10 muaj që nuk kemi folur për gol apsajt, apo për arbitrim të keq, por kemi folur për trukim të zgjedhjeve. Pra në këtë proces trupimi, goli pranohet në të, por trukimi hetohet dhe trukimi dënohet. Bëre mirë që the të ndjekim futbollin. Por duhet të dish që dje është dhënë njoftim publik se nga ora 8 deri në 18:00 pasdite, shqiptarët nuk do të kenë drita. Ky ishte njoftimi i djeshëm i OSSH-së. Merr masa se ke përgjegjësi, je në pushtet”, u përgjigj Ruçi. Krerët e Grupeve Parlamentare debatuan edhe për tema të tjera, siç janë emërimet në sistemin e drejtësisë. Ruçi tha se opozita ka në fuqi ofertën e saj për të miratuar me shumicë të cilësuar emërimet e reja në sistemin e Drejtësisë. “Aktualisht, sot në këtë kalendar përfshihet përgjigja më e shëmtuar që jo vetëm organet e Drejtësisë do të zgjidhen me shumicë të thjeshtë pa marrë ofertën e opozitës, por do të hiqet edhe votimi i fshehtë i zgjedhjes së tyre”, tha Ruçi. Ndërsa Patozi u përgjigj duke thënë se “unë ju ftoj që të harroni fjalën krizë. Jemi plotësisht dakord që të bashkëpunojmë dhe kemi vetëm një kusht, i cili në fakt nuk është kusht por detyrim i joni, që të mos shkelim ligjet dhe Kushtetutën e këtij vendi”.

Replikat Patozi-Ruçi-Topalli

Gramoz Ruçi: Esencialja që unë nënvizoj në emrin e grupit është se maxhoranca po mban një qëndrim absolutisht refraktar, për zgjedhjen e krizës politike prej 10 muajsh. Në kushtet kur ju si maxhorancë nuk po i përgjigjeni ofertës së opozitës, një ofertë shumë serioze e përgjegjshme për gjetjen e një mirëkuptimin për bërjen e mjaft reformave aq të domosdoshme për integrimin e vendit. Në kushtet kur opozita qysh në legjislaturën e mëparshme ju ka propozuar një pakt për një reformë tërësore në organet e Drejtësisë dhe që prej asaj dite e deri më sot, ajo ka zënë pluhur në sirtarët e Kuvendit. Kjo është arsyeja që ajo që nënvizova në fillim është se veç këtij ligji, ndaj 22 ligjeve që janë këtu, gati 11 ligje janë ligjesh kodesh që duan një shumicë të cilësuar. Përsëri të çojnë te kryefjala që duhet një mirëkuptim, një zgjidhje e krizës politike dhe kërkohet një marrëveshje e gjerë dhe e plotë që ky institucion të përmbushë detyrat e tij, jo për ngjyra partiake, por për t’i dhënë vlerat e qëndrueshme dhe institucione të qëndrueshme kushtetuese këtij vendi. Unë përsëri apel në seancë që ta gjykoni me gjakftohtësi, ta shikoni të vërtetën në sy. Këtu opozita nuk është garnitura e maxhorancës, që çfarëdo ju ta nisni pastaj ta bitisni. Pra në këto kushte, ne nuk mund të bëhemi bashkëfajtorë e bashkëpërgjegjës në këtë qëndrim.
Jozefina Topalli: Dua të sqaroj se në kalendarin tri javor është vetëm Gjykata Administrative, e cila kërkon 3 të pestat. Të tjerat në program, që janë iniciativa individuale, nuk krahasohen kurrë me këtë projektligj.
Astrit Patozi: Unë do ju ftoja që të mos paragjykoni veprimet apo aksionet politike, që mund të ndodhin në të ardhmen. Zoti Ruçi, unë ju ftoj që të harroni fjalën krizë. Në rast se ju keni një vit që e përsërisni atë vazhdimisht, ky vend nuk ka krizë, ky Parlament nuk ka krizë dhe funksionimi i kësaj seancë normale është prova më e mirë për të. Në rast se ju dëshironi të ndillni krizën dhe ta sillni atë në Shqipëri, pasi e keni vërejtur edhe në vende të tjera, sigurisht që është një mision i pamundur. Ju kërkoni që ne të bashkëpunojmë dhe të miratojmë një pakt. Jemi plotësisht dakord që të bashkëpunojmë dhe kemi vetëm një kusht, i cili në fakt nuk është kusht, por detyrim i joni, që të mos shkelim ligjet dhe Kushtetutën e këtij vendi. Jemi të hapur të bashkëpunojmë për të gjitha pretendimet dhe kërkesat normale dhe ligjore të opozitës. Ju mund ta shikoni Kampionatin Botëror dhe mund të nxirrni mësime sepse Kampionati Botëror, si evenimenti më i madh sportiv në botë ka disa elementë që mund t’ju vijnë në ndihmë edhe juve, sepse aty shpirti i garës, fair-play janë simbole që mund t’ju vijnë në ndihmë. Aty ju mund të mësoni se kur një ekip humbet dhe kur arbitri vërshëllen tri herë, humbësi i jep dorën fituesit, aty ju mund të mësoni se për të fituar një kompeticion tjetër duhet që përgatitja të fillojë që ditën kur kundërshtari ngre Kupën, aty ju mund të mësoni që kur gjyqtari vërshëllen, respektohet vendimi i tij. Aty ju mund të mësoni që kompeticioni tjetër vjen shumë shpejt dhe në rast se ju nuk stërviteni, sigurisht që do ta humbni edhe atë. Duhet të keni parasysh që pas Kampionatit Botëror, vjen Kampionati Europian dhe këto janë zgjedhjet lokale. Ju keni humbur një vit, ju ftoj që të mos humbni edhe një vit tjetër.
Jozefina Topalli: Fillojmë me prezencën...(reagime në sallë). Krejt për futbollin e kemi sot...
Gramoz Ruçi: Unë kur fola, nuk fola për muhabet futbolli por meqë e keni përmendur edhe një herë tjetër këtu...ai topi i futbollit dhe ky topi politik nuk ndahen nga njëri-tjetri, jam dakord. Por keni 10 muaj që ky topi politik është në fushën tuaj dhe këtë top kërkohet, siç ua kanë thënë edhe partnerët europianë, të çohet në rrjetën europiane. E nxirrni jashtë, gjuani shtyllë, biles po i bini shtyllës me kokë.
Jozefina Topalli: Mbetëm duke u bërë gola o Gramoz, mos qeshni shumë.
Gramoz Ruçi: Të nderuar kolegë, bëtë mirë që folët për arbitrimin, por meqë e bëtë krahasimin e politikës me futbollin, po të them që të gjitha i përmendët, por vetëm një nuk përmendët, trukimin e ndeshjeve. Ne kemi 10 muaj që nuk kemi folur për gol jashtë loje, apo për arbitrim të keq, por kemi folur për trukim të zgjedhjeve. Pra në këtë proces, trukimi i golit pranohet në të, por trukimi hetohet dhe trukimi dënohet. Meqë e donit me futboll.
Jozefina Topalli: E shihni se keni mbetur vetëm tek futbolli...Gramoz jemi te programi, tek kalendari. Ju lutem
Gramoz Ruçi: E fundit që kam, me një fjali. Bëre mirë që the të ndjekim futbollin. Por duhet të dish, që dje është dhënë njoftim publik se nga ora 8 deri në 18:00 pasdite, shqiptarët nuk do të kenë drita. Ky ishte njoftimi i djeshëm i OSSH-së. Merr masa se ke përgjegjësi, je në pushtet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›