E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Deputetët e PS të vijnë të gëzojnë në inaugurimet e Qeverisë



Kryeministri Sali Berisha vijon turin e inaugurimeve në të gjithë vendin, teksa ka ironizuar deklaratat e Partisë Socialiste për krizën ekonomike që ka kapur vendin. Duke folur nga Laçi, ku inauguroi një shkollë 9-vjeçare, kreu i Qeverisë ftoi deputetët e PS-së të marrin pjesë në përurimet që po bën Qeveria. “Unë jam këtu për t’i ftuar të gjithë deputetët e opozitës, le të vijnë edhe ata për të gëzuar së bashku inaugurimet e reja. Le të vijnë këtu dhe në çdo inaugurim, sepse këto nuk janë vetëm për demokratët, këto janë për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga bindjet partiake. Zotërinj, mos shikoni realitetin me gjyzlykët e kryetarit, sepse unë ju jap fjalën e nderit se kryetarit gjithnjë e më shumë po i nxihen gjyzlykët”, theksoi Kryeministri. “Urdhëroni zonja dhe zotërinj deputetë të Partisë Socialiste, në çdo komunë ku do të shkojë Kryeministri jeni të ftuar, në çdo komunë ku shkojnë ministrat për inaugurim jeni të ftuar, sepse këto vepra jo vetëm që ndërtohen për të gjithë qytetarët, por në këto vepra kanë mundin dhe djersën taksapaguesit socialistë gjithashtu, si gjithë të tjerët”, tha kreu i Qeverisë. Ndërkohë gjatë pasdites Kryeministri ishte në Kamëz, ku shpërndau teserën e anëtarësimit në Partinë Demokratike për 835 anëtarë të rinj. “Ju keni zgjedhur Partinë Demokratike si partinë e idealeve tuaja më të bukura, sepse 20 vjet më parë Partia Demokratike u themelua si partia e interesit kombëtar të qytetarëve shqiptarë, si partia e çështjes kombëtare të shqiptarëve”, tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›