Indi, dhunon të bijën për nëntë vite me këshillën e magjistarit
Një biznesmen indian në kryeqytetin Mumbai ka përdhunuar të bijën me këshillën e një magjistari, i cili i kishte ofruar këtë variant në këmbim të mbarëvajtjes së biznesit të tij. Biznesmeni e ka përdhunuar të bijën për nëntë vite me radhë, derisa pak ditë më parë, kur ajo ishte pranë moshës 21 vjeçe, ia kishte treguar të gjitha dajës së saj. Ai e ka denoncuar të atin e vajzës, që tani është arrestuar. Lajmi ka tronditur të gjithë Indinë dhe ka bërë të diskutohet vetëm për të. Biznesmeni Kishore Chauhan, 49 vjeç, kishte pësuar një tronditje financiare në vitin 2001 dhe për të shpëtuar nga kjo iu drejtua një astrologu të njohur indian, Hasmukh Rathod. Ky i fundit, pasi tha se kishte studiuar çështjen e tij, e kishte këshilluar të kryente marrëdhënie seksuale me të bijën, në atë kohë 12 vjeçe. Sipas policisë, babai kishte nisur ta impononte të bijën të kryente akte seksuale me bashkëpunimin e të shoqes dhe vetë astrologut, i cili gjatë aktit kryente rite. Por më pas, siç shkruan agjencia indiane e lajmeve “Pti”, meqë biznesi i tij nuk kishte shkuar aspak më mirë, Chauhan i ka kërkuar sërish ndihmë astrologut, i cili nuk ka gjetur zgjidhje tjetër veçse ta këshillonte të kryente marrëdhënie seksuale me vajzën tjetër më të vogël, që ka moshën 15-vjeçare. Vajza e madhe nuk e ka përballuar këtë dhe ka shkuar tek daja i saj i madh duke qarë dhe duke i rrëfyer gjithçka me frikën se e njëjta gjë do t’i ndodhte shumë shpejt të motrës. Më pas ky i fundit ka paraqitur denoncimin në polici, duke i dhënë fund kësaj ngjarjeje të trishtë.