E Diel, 1 Nëntor 2026

Kupa e Shqipërisë Festival golash në “Selman Stermasi”, Tirana vjen dështimi i parë

Autori i Lajmit: Redaksia

Tiranë - Besa, falë dy golave në fushën kundërshtare në humbjen 4-2 ndaj Tiranës në “Selman Stërmasi”, është gjysmëfinalistja e parë e Kupës së Shqipërisë, duke mbërritur për herë të 11-të gjatë 52 edicioneve të këtij kompeticioni, në të cilat skuadra kavajase ka marrë pjesë. Protagonistë të kualifikimit të 5-të në 14 çiftime direkte me Tiranën (9 kualifikime) ishin Bledar Mancaku dhe Daniel Xhafaj, madje me të njëjtën skemë realizimi, ashtu si në fitoren 2-0 të ndeshjes së parë të luajtur në Kavajë: gol nga pika e bardhë për durrsakun Mancaku, të pasuar me një gol të dytë të realizuar nga vlonjati Xhafaj. Pas një pjesë të parë pa gola, por të shoqëruar me dy momente të bukura: silurë Daniel Xhafaj (Besa) në minutën e 37-të dhe predhë-shtyllë e Julian Ahmatajt (Tirana) në minutën e 41-të, fraksioni i dytë ishte i tëri për tu shijuar. Gjashtë gola, katër për Tiranën, e cila madje udhëhoqi deri në 4-0 deri në minutën e 67-të, matematikisht e kualifikuar deri në atë moment – dhe dy për Besën, e shoqëruar edhe me kartonin e dytë të verdhë e rrjedhimisht të kuq të Erbim Fagut (84) të Besës. Ia vlen të kujtojmë se në ndeshjen e parë çerekfinale doli me karton të kuq mbrojtësi i Besës, Renato Arapi (43). Skenari i golave është i denjë për një “thriller” për nga kronologjia dhe emocionet që dhuroi. Mbrojtësi i majtë i Tiranës, Julian Ahmataj, shënoi pa kaluar ende një minutë nga pjesa e dytë golin e parë për 13-herë fituesit e Kupës, ndërkohë që katër minuta më pas, në të 50, ishte Sebino Plaku që dyfishoi për bardheblutë duke çuar rezultatin e përgjithshëm të dy takimeve në 2-2. Furia e formacionit Muka-Sengla nuk u ndal, dhe ishte sërish Plaku, i ardhur te Tirana nga Dinamo gjatë merkatos dimërore, që pas një asisti të marrë nga Gjergji Muzaka fitoi një penallti të konvertuar në gol nga kavajasi Andi Lila në minutën e 52-të. 3-2 për Tiranën, që të paktën në moment është e kualifikuara e madhe. Dominimi i finalistëve të sezonit të kaluar vazhdoi me elbasanasin Julian Ahmataj, i cili çon shifrat në 4-0 në minutën e 67-të dhe rezultatin e përgjithshëm në 4-2. Teksa në kampin bardheblu shijojnë virtualisht mbërritjen për herë të 31-të në gjysmëfinale (në 57 pjesëmarrje në Kupë), në atë kavajas gjejnë fuqitë e “Feniksit” për tu ringjallur sërish nga hiri. Protagonisti absolut ishte një ish-lojtar që deri sezonin e kaluar mbronte ngjyrat e Tiranës: Daniel Xhafaj. Sulmuesi i Besës fitoi në minutën e 73-të penalltinë e shndërruar në gol nga Bledar Mancaku dhe shtatë minuta më pas, ishte Daniel Xhafaj që bëri heroin e takimit, duke shënuar golin e dytë për kavajasit, atë 4-2, njëherësh edhe goli i artë i kualifikimit. Një kualifikim i bujshëm i Besës, që ëndërron finalen e 8-të, por dhe fitimin për herë të dytë të Kupës së Shqipërisë, teksa e ka fituar atë vetëm një herë në sezonin 2006-2007.

Shkumbini-Dinamo 2-1

Falë dy penalltive të realizuara nga sulmuesi Endri Bakiu, Shkumbini arriti të përmbysë dizavantazhin 0-1 me Dinamon, duke fituar 2-1 sfidën e parë çerekfinale të Kupës. Shkumbini i Përparim Daiut ia del të ndalë për herë të dytë Dinamon në Peqin, duke futur në këtë statistike dhe fitoren 4-0 në kampionat. Blutë e Shkëlqim Muçës shënuan të parët me anë të Bekim Kulit në minutën e 55-të, por dhjetë minuta më pas, Endri Bakiu fitoi një penallti të cilën e shndërroi në gol po vetë. Në minutën e 77-të, blerja dimërore, Altin Gërboviç, u pengua në zonën e Dinamos dhe gjyqtari Sokol Çekaj akordoi 11-metërshin e dytë për peqinasit. Endri Bakiu sërish u tregua i saktë duke i dhuruar fitoren 2-1 Shkumbinit e ngjallur shpresën për kualifikimin për herë të katërt të peqinasve në gjysmëfinale. Në takimin e kthimit, Dinamos i mjafton edhe një fitore minimale 1-0 për të kaluar për herë të 31-të midis katër më të mirave të kupës, ndërkohë që Shkumbini duhet të luftojë fort për të fiksuar barazimin apo të paktën një humbje 2-1 për të kaluar në kohën shtesë. Në ndeshjen e tyre në kampionat të luajtur në kryeqytetet, Dinamo fitoi 2-1 me Shkumbinin.

KUPA E SHQIPËRISË
ÇEREKFINALET

E mërkurë, 24 shkurt 2010

Tirana-Besa 4-2

Shënues: Ahmataj 46 dhe 67, Plaku 50, Lila 52 (p)/ Mancaku 73 (p), Xhafaj 80.

Shkumbini–Dinamo 2-1

Shënues: Endri Bakiu 65 (p) e 77(p)/ Bekim Kuli 55
Ky lajm është publikuar: 25/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›