E Shtunë, 31 Tetor 2026

India testoi një raketë të re

India ka testuar me sukses një raketë të re, e aftë që të bartë predha bërthamore, kanë njoftuar sot disa burime të mbrojtjes, vetëm disa ditë pas propozimit për të rifilluar negociatat me rivalin bërthamor të Indisë, Pakistanin.

Raketa tokë-tokë Agni III, me një rreze të veprimit prej 3 mijë kilometra, është testuar në ishullin Vheeler, në brigjet e shtetit lindor Orissa.

“Të gjitha parametrat janë përmbushur, testi ishte i suksesshëm”, tha një burim, duke theksuar se raketa është shkrepur nga një platformë mobile.

Ishte ky testimi i katërt i kësaj rakete, e cila mund të bartë si predha konvencionale, ashtu edhe bërthamore.

India javën e kaluar njoftoi se është e hapur për negociata me Pakistanin, në nivelin e Ministrave të Jashtëm, duke sinjalizuar kështu një përmirësim të mundshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat u ngrinë pas sulmeve terroriste në Mumbai, në vitin 2008.

India deri me tani ka refuzuar rifillimin e negociatave, përderisa Pakistani të mos vendosë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet në Mumbai dhe përderisa nuk merr masa kundër grupeve militante, të cilat veprojnë në territorin pakistanez.

India dhe Pakistani filluan dialogun paqësor në vitin 2004, i cili ndihmoi në zbutjen e tendosjeve mes dy vendeve, para se gjithash tendosjet rreth territorit të kontestuar të Kashmirit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›