E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-ja do të ndihmojë edhe më tutje Haitin

Ushtria e SHBA-së ka premtuar se do t’i ndihmojë Haitit për aq kohë sa të ketë nevojë, përderisa ky shtet po përballet me vështirësi që të ushqejë me miliona njerëz, të tronditur nga tërmeti që goditi vendin e tyre.

Koloneli Gregory Kane, oficer për operacione i ushtrisë amerikane në Haiti, theksoi se prania amerikane në Haiti do të zgjatë për aq kohë sa të kërkohet kjo prani.

“Ne do të qëndrojmë në Haiti për aq kohë sa ka nevojë dhe jemi të mirëseardhur për qeverinë e Haitit”, tha Kane.

Por i pyetur se sa kohë do të zgjatë saktësisht misioni, Kane u përgjigj:”Pjesa ushtarake e misionit, nëse marrim parasysh trendët historike, mund të zgjatë prej 45 deri në 50 ditë”.

Presidenti i Haitit, Rene Preval, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të mbetet edhe më tutje e angazhuar në Haiti, ndërsa nga banorët ka kërkuar që të ruajnë qetësinë.

“Ne kuptojmë vështirësitë, me të cilat përballen njerëzit që jetojnë nën qiell të hapur. Por me disiplinë mund të zgjidhim problemet, me të cilat po përballemi”, tha Preval.

Distribuomi i ushqimit po vazhdon të përballet me vështirësi, pjesërisht për shkak të masave të shtuara të sigurisë, të cilat nevojiten për transportimin dhe shpërndarjen e ushqimit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›