E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK: “Berisha të shkarkojë falsifikatorin Gurakuqi”



Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokristiane, Ndue Shpani, e ka cilësuar të papranueshëm qëndrimin në postin e zëvendësministrit të Jashtëm, Anton Gurakuqi. Sipas Shpanit, qëndrimi i Gurakuqit në këtë post është në kundërshtim të hapur me marrëveshjen politike midis PD-së dhe PDK-së. Për më tepër që Anton Gurakuqi është një shtetas që është proceduar penalisht nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor në Tiranë për falsifikim dokumentesh dhe mashtrime. “Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në bazë të kallëzimeve penale dhe materialeve shtesë të administruara nga kjo Prokurori, më datë 12.06 2008 ka regjistruar procedimin penal nr. 1978 ndaj shtetasit Anton Gurakuqi për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal”, - bën të ditur Shpani. Sipas tij, Gurakuqi ka depozituar në gjykatë lista me emra anëtarësh dhe me firmën e tij për të legjitimuar Kongresin e Jashtëzakonshëm të PDK-së. “Në listat e depozituara në gjykatë figuron edhe emri i një shtetasi nga Gjirokastra, i cili prej vitesh vuan dënimin në një burg në Greqi”, - bën të ditur Shpani. Më tej ai bën të ditur se nuk është serioze për qeverinë që të mbajë në një detyrë të lartë në krye të diplomacisë shqiptare një person që akuzohet për falsifikim dokumentesh.

19 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›