Individët kanë marrë 10 herë më pak kredi në vitin 2009
Portofoli i kredisë për individët gjatë vitit 2009 është karakterizuar nga ngadalësimi i njëtrajtshëm i ritmeve të rritjes vjetore në 14 për qind. Kjo ecuri reflekton tkurrjen e
ndjeshme të kredisë për pasuri të paluajtshme. Gjatë 5 muajve të parë, teprica e kredisë për individë është rritur vetëm me 1.5 miliardë lekë, krahasuar me 12 miliardë lekë që u rrit një vit më parë, gati 10 herë më pak. Sipas BSH-së, norma vjetore e rritjes së portofolit të kredisë për banesa është tkurrur dukshëm duke arritur në 13.4 për qind, e njëjtë me kredinë për konsum. Ky ngadalësim i kredisë për banesa ka qenë në përgjigje të politikave më konservative të bankave për këtë produkt, por edhe të një kërkese më të paktë. Politikat e ndjekura nga bankat tregtare për shtrëngimin e kritereve të kreditimit vihen re kryesisht në rritjen e raportit të mbulimit me kolateral të kredisë, në rritjen e nivelit të mbulimit të këstit të kredisë me të ardhura personale, me përzgjedhjen e cilësisë së kolateralit, si edhe me reduktimin në disa prej bankave të afatit të maturimit të kredisë.
Vazhdon dobësimi i pozitës së monedhës vendase
Nuk ka ndalur, për të dytën ditë radhazi rënia e vlerës së lekut shqiptar në këmbimet me te gjitha valutat e huaja. Në kulmin e sezonit të mbërritjes së emigrantëve në atdhe për pushimet verore, të gjitha valutat kryesore të huaja po paraqesin vazhdimisht sivjet një tendencë të kundërt, jo vetëm me vitin e kaluar, por me të gjithë vitet e mëparshme. Gjatë ditës së djeshme, sipas Bankës së Shqipërisë, leku ka humbur terren në këmbimet me të gjitha valutat. Dollari amerikan ka fituar 0.26 lekë, euro 0.37 lekë, paundi britanik 0.57 lekë, franga zvicerane 0.33 lekë. Kjo tendencë zhvlerësimi e lekut, e filluar që vitin e kaluar, vjen si pasojë e prurjeve më të pakta valutore nga emigrantët. Nga fillimi i këtij viti, euro është rivlerësuar me 6 për qind në këmbimet me lekun.
8 Gusht 2009