Varfëria dhe kostoja e lartë e punimit, arsyet pse fermerët e lënë tokën djerrë
Ervin KOÇI
Sipërfaqe të tëra të tokës bujqësore të mbetura djerrë në të gjithë vendin, rrezikojnë që t’u merren fermerëve dhe të kalojnë në pronësi të komunave. Për tokën e lënë djerrë, mes 3 alternativave, asaj të heqjes së titullit të pronësisë, të supertaksimit, dhe të administrimit nga ana e komunave, qeveria zgjodhi këtë të fundit. Pra pushteti lokal do të japë me qira tokën e pa punuar që i është sekuestruar nga shteti fermerit. Metoda e sekuestrimit të kësaj lloj prone, të kujton mënyrat e konfiskimit që u bëri pronave sistemi komunist i Enver Hoxhës, pas reformës agrare, duke e justifikuar me krijimin e kooperativave bujqësore. Por në asnjë çast shteti nuk është ulur që të analizojë mënyrën se përse e gjithë kjo sipërfaqe toke bujqësore ka mbetur e pa punuar dhe përse fenomeni është shtrirë në të gjithë vendin. Sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë, dhënë dje nga vet ministri Gjana, janë mbi 10 për qind e sipërfaqes së tokës bujqësore në të gjithë vendin që është lënë djerrë. Por në asnjë rast ministria dhe vet ministri i këtij sektori nuk kanë shpjeguar arsyet duke ua faturuar gjithë fajin dembelizmit të fermerëve. Po të analizosh të gjithë proceset e punës që duhen për punimin dhe kultivimin e tokës bujqësore, duke filluar që nga plugimi, mbjellja, vaditja, plehërimi, spërkatja me pesticide për ta mbrojtur prodhimin, e deri tek vjelja e prodhimit dhe shitja e tij, kostoja është shumë më e lartë se sa fitimi që një fermer merr nga ky prodhim. Këtu nuk kemi futur hakun që fermeri duhet të nxjerrë për mundimin nga kjo punë. E gjithë kjo llogari e përsëritur në vite nga fermerët i ka sjellë ata në konkluzionin se është më mirë që të merren me aktivitet të tjera ose t’i drejtohen emigracionit se sa të merren me kultivimin e tokës së tyre. Ndërkohë vitet e fundit, një pjesë e mirë e fermerëve në zona të caktuara të vendit, ka parë si zgjidhje shitjen e kësaj toke ose dhënien e saj ndërtuesve të ndryshëm, duke e kthyer nga tokë buke në një sipërfaqe për aktivitete ndërtimi ose prodhimi.
Sekuestrimi
Pas diskutimit të bërë disa ditë më parë nga kryeministri Berisha për mundësinë e marrjes së tokës fermerëve që nuk e punojnë atë, dje ka folur edhe ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana. Ministri i Bujqësisë, ka argumentuar arsyet që sollën qeverinë në vendimin për t’iu marrë tokën fermerëve që nuk e punojnë. Sipas ministrit Gjana, toka e mbetur djerrë sot është braktisur kryesisht nga familjet në emigracion apo që kanë burime të tjera të ardhurash. “Toka nuk punohet në disa prej zonave të minoritetit ku ka emigracion të theksuar dhe në disa prej zonave të ultësirës perëndimore, ku pronarët e tokave janë më aktivë”, u shpreh Gjana. Sipas tij, kjo praktikë nuk e heq të drejtën e pronësisë për ato pronarë që i lënë sipërfaqet e tokës të pashfrytëzuar dhe ku ka grupe interesi. Sipas Gjanës, “vendi ynë nuk e ka luksin ta lerë të papërdorur tokën bujqësore”. Ai ka vijuar më tej duke thënë se, “nuk do të ketë heqje titulli pronësie për ata që nuk e punojnë tokën as supertaksa, vetëm do t’ju merret në përdorim, lëshohet me qira dhe rikthehet më pas”.
Zonat e djerra
Kostoja e punës dhe mosmbrojtja e produkteve bujqësore vendase karshi atyre të importit, janë disa prej arsyeve kryesore se pse shqiptarët lënë mbi 10 për qind të tokës bujqësore pa punuar në të gjithë vendin. Sipas MBUMK-së, toka bujqësore nuk punohet në disa zona; në zonat minoritare; në zonat ku emigrimi është i lartë si dhe në zonat për rreth autostradave, për shkak se pronarët që kanë titujt e pronësisë synojnë ti shesin ato për aktivitete të tjera ekonomike, nga ku mendojnë se edhe fitimi është më i madh. Por sipas Ministrisë së Bujqësisë, toka punohet më pak edhe në zonat e ultësirës perëndimore, pasi pronarët duke qenë më afër zonave urbane janë të angazhuar në aktivitete të tjera. Por fenomeni i moskultivimit të tokës bujqësore nuk është vetëm në Shqipëri. Edhe vende të tjera të rajonit e kanë këtë problem, ku kohët e fundit ky është ndjerë edhe më tepër prej efekteve të krizës ekonomike globale. Aktualisht janë tre praktika të cilat zbatohen në vendet përreth dhe në ato të BE-së: 1) praktika e heqjes së titullit të pronësisë, 2) praktika e vendosjes së një takse të lartë për mospërdorimin jo vetëm të tokës bujqësore, por edhe trojeve në zonat urbane, 3) praktika e marrjes nën administrim nga njësitë e qeverisjes vendore.
8 Gusht 2009