E Shtunë, 31 Tetor 2026

Individi dhe pushteti

Elsa Ballauri 

Herë pas here, informacionet e ndryshme që marr nga televizionet më shkaktojnë njëfarë trishtimlodhje dhe ndonjëherë edhe ndonjë reagim jo shumë vetëpërmbajtës. Më parë këto shfaqje mund të ishin edhe më të shpeshta, informacionet streskrijuese mund të ishin edhe më të shumta… por, ama, ishin "më parë". Njeriu është pasojë e kohës që kalon dhe unë nuk mundem dot të rri pa më kaluar në të mijtën e sekondës mendimi se "më parë", lidhet me dy, tre, pesë, dhjetë… mundet dhe dymbëdhjetë vjet jetë jashtë totalitarizmit. Ndërsa "tani", lidhet me afro 2 dekada jetë postkomuniste që nuk po e qeverisim dot.
Jo çdo informacion ka fluks të njëjtë emocional dhe ndikon njëlloj në psikologjinë tonë sociale dhe politike. Unë nuk jam e mendimit se vrasjet, vjedhjet, korrupsioni, apo krime të tjera të rëndomta ndodhin në Shqipëri më shumë se në vende të tjera, apo se këto ndodhin tani dhe nuk ndodhnin në sistemin e mëparshëm. Ajo që më bën përshtypje është kur vrasjet, korrupsioni apo vjedhjet organizohen nga njerëzit e pushtetshëm, ata që bëjnë politikat dhe drejtojnë vendin. Kjo e bën Shqipërinë të ndryshme nga vendet me modele të mira demokracie… Megjithëse kjo është një temë interesante dhe e dobishme për t'u diskutuar, unë do të shmangem pak për të folur mbi atë që më shqetëson këtë radhë: lajmi që dëgjova përpara pak ditësh mbi ndryshimin e emrit të Universitetit të Vlorës…
Të them të drejtën, m'u fanepsën thirrjet e partizanëve të vitit 1944 që zbrisnin me pushkë nga malet dhe u viktimizuan nga ideologjia e më të fortëve që e anuluan Shqipërinë, duke filluar nga planimetritë arkitekturale e duke vazhduar me emrat e rrugëve, institucioneve, me ndryshimet në veshjet, zakonet, traditat dhe kulturë, besimin, dëshirat dhe ndjenjat. M'u duk e çuditshme, se tamam tani pas kaq shumë viteve kur po na jepet shansi të flasim dhe të bëjmë diçka për ruajtjen dhe respektin e vetvetes, tamam në këto momente mënyra partizançe e një bordi profesorësh dhe specialistësh, të le pa gojë duke propozuar një ide kaq të pakuptimtë. Lajmi më shumë se të revoltonte, ishte qesharak. Isha e bindur që nuk do te jetonte ideja, por nuk jam aspak e bindur se sa rrënjë ka ajo dhe sa mund të kultivohet. Në këtë shkrim, nuk dua të merrem me rastin konkret, por me jehonën që mund të ketë, si mund ta kemi përtypur këtë informacion…
Në raste të tilla më vjen gjithmonë ndër mend një histori e vogël që zë fill që me fëmijërinë time. Babai im, ish-student i Liceut Francez në Korçë, natyrisht ishte një frankofon që jo vetëm që donte gjuhën frënge dhe Francën, por nëpërmjet librave të shkollës dhe literaturës që përcolli edhe pas viteve të shkollës, e njihte Parisin në të gjitha rrugët e tij, rrugicat, sheshet, qoshet historike, kishat dhe kodrat. Ai e dinte pothuajse në majë të gishtërinjve virtualisht qytetin e famshëm, dinte se si mund të shkohej nga njëra lagje tek tjetra, dinte se si kishte lëvizur historia atje. Vetëm në vitin 1992 ai udhëtoi për herë të parë në Paris dhe për çudinë edhe të tij, mundi të orientohet vetëm me njohuritë e tij në sheshet, në rrugët dhe ndërtesat që kishin të njëjtin emër dhe numër si qindra vjet më parë. Historia është e çmueshme, vetëm ne shqiptarët në Evropë nuk e kemi kuptuar këtë aksiomë, sepse ende jemi në përpëlitjen e raportit të individit me veten e tij, me identitetin dhe sigurinë psiko-sociale.
Natyrisht, Franca ka pasur sisteme që në momente të caktuara u bënë të urryera për shumë njerëz, por kontributi i dhënë i individëve asnjëherë nuk është mohuar.
Natyrisht që historia ka treguar edhe disa raste ndryshe. Nuk mund të qëndrojnë në piedestal emra të njerëzve që me politikat e tyre të mbrapshta kanë masakruar e vrarë dhe kanë kryer krime kundër njerëzimit. Për këtë arsye në Gjermani nuk lejohet me ligj të përdoret emri i Adolf Hitlerit. Prandaj në Shqipëri duhet quajtur e gabuar që emri i Enver Hoxhës të jetë ende në listën e Heronjve të Popullit. Emrat vihen që të kenë një shans të pavdekshëm për t'u respektuar, por nëse flitet për njerëz që kanë lënë gjurmë në histori, sado e diskutueshme të jetë kjo, askush nuk ka të drejtë të diskutojë heqjen e tyre vetëm e vetëm se ndonjë bord mediokër e propozon këtë.
Raporti i individit me pushtetin që ai fiton është gjithashtu një nga shprehjet më të gjalla të këtyre vendimeve absurde. Kjo ndodh në shoqëri që e kanë fituar lirinë vonë dhe që trashëgojnë nga e kaluara sjellje të tilla nga mungesa e dikurshme e lirisë. Shqiptarët janë në procesin e gjatë të kuptimit të lirisë dhe keqpërdorimi i këtij koncepti që ndodh rëndom, është sistematik. Rastet e gabuara të raportit të individit me pushtetin që ai fiton, janë kaq të pranishme sa ky pranohet si model normal dhe i moralshëm. Në momentin që dikush fiton një pozitë zyrtare në shoqëri harron për përgjegjësitë, për modestinë, për punën e madhe që duhet të bëjë, për të realizuar ato që dikur i kishte kritikuar si një opozitë qytetare e lirë. Në pozicionin e ri dhe të fuqishëm, individi, qoftë ky një shkencëtar, apo një profesionist i mirë, harron profesionin dhe përpiqet të merret me gjithçka, të ndryshojë politika ku protagonizmi dhe prepotenca e tij profesionale të bjerë në sy. Kjo lehtësisht e bën individin të kapërcejë kompetencat e tij dhe të gabojë. Raporti i gabuar i individit me pushtetin e tij e bën atë të besojë se mund t'i dijë të gjitha dhe mund të ndërhyjë në të gjitha. Në këtë rast, individi nuk ka frikë nga tradita, sepse nuk e ka atë, nuk ka frikë se po gabon, sepse askush nuk është akuzuar në Shqipëri se ka ndryshuar dhe shfytyruar historinë. Dhe fatkeqësia më e madhe është se nuk ka historiografi shqiptare që të përballojë realitetin, duke marrë përsipër në mënyrë shkencore të shkruarit e duhur të historisë. Edhe kjo është një tregues tjetër i krizës së individit me pushtetin, në këtë rast në mënyrën e kompleksit të nënshtrimit dhe konformizmit që ai vazhdon ta ruajë si një nga cilësitë më tipike të së kaluarës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›