E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: Berisha po rrëshqet si në qeverisjen e 1996

Kreu i PDS-së analizon zhvillimet e fundit politike në vend. Kashari sipas tij duhet të lexohet saktë dhe qartë për strategjitë e zgjedhjeve të 2009. 

Aristir Lumezi

Nisur nga deklaratat e diplomatit amerikan, Milo shprehet se sjelljet e Berishës po e çojnë atë në të njëjtat shfaqje si qeverisja e parë e '92-'97. Milo shprehet i shokuar për vendimin e rektorit të Vlorës për emrin e Ismail Qemalit.
Zoti Milo, javën e kaluar patëm zgjedhje të pjesshme në komunën e Kasharit, të cilat rezultuan me fitues kandidatin e djathtë, ndërsa kandidati i koalicionit "E majta për Integrim" doli i dyti duke e pozicionuar në vendin e katërt kandidatin e PS-së. Sa në referencë mund të merret ky rezultat për të përcaktuar koalicionet paraelektorale për zgjedhjet e 2009?
Zgjedhje në nivel lokal, pavarësisht se kishim të bënim me një komunë shumë të rëndësishme gati-gati pjesë e kryeqytetit, sigurisht nuk përfaqësojnë tendencën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, por përfaqësojnë një mesazh, që duhet lexuar me vëmendje dhe duhet të nxirren mësimet e duhura. E them këtë sepse kam parë interpretime dhe komente nga më të ndryshmet për zgjedhjet në Kashar, duke u përpjekur që të minimizohet nga njëra anë rezultati i arritur dhe të absolutizohet dhe të glorifikohet nga PD fitorja e saj në këtë komunë. Unë mendoj që zgjedhjet treguan edhe njëherë domosdoshmërinë dhe urgjencën e rishikimit të taktikave dhe të strategjisë së ardhshme elektorale nga ana e partive të majta, sepse Kashari dëshmoi shumë qartë se nëse e majta do të ishte bashkuar fitorja do ishte e padiskutueshme, vetë shifrat e tregojnë qartë një gjë të tillë.
Në fakt kemi disa zgjedhje, pesë, që pas 2005, të cilat humben nga e majta..    
Kjo sigurisht ka nevojë për reflektime serioze, sepse është e domosdoshme të mos anashkalohen me formula të standardizuara minimale, por t'u shkohet analizave deri në fund dhe mendoj se duhen bërë përpjekje, që në muajt e ardhshëm të ndërtohen ura të bashkëpunimit të partive të së majtës, duke sakrifikuar gjithsecili nga egoizmi personal dhe partiak. Nëse do të bëhej kjo dhe do të liheshin mënjanë llogaritë e gabuara kompjuterike dhe sondazhet jo shumë profesionale që nisen nga i ashtuquajturi parim 'si e do zotrote e nxjerr unë', besoj se do të ketë në të ardhmen një rezultat pozitiv. Nuk mund të flas më tepër për Kasharin, sepse nuk dua ta absolutizoj dhe të thelloj atë ndarje elektorale, që u evidentua aty edhe brenda të majtës. PDS është e prirur që të kontribuojë për afrimin e të gjithë segmenteve të së majtës, sepse është e ndërgjegjshme se pa një bashkim nuk ka asnjë fitore të së majtës. Sesi do të arrihet ky bashkim do të varet shumë në radhë të parë nga vetë PS, se sa ajo do të jetë në gjendje t'u ofrojë partnerëve të vet hapësira të nevojshme mirëkuptimi dhe bashkëpunimi jo për të siguruar mbijetesën e tyre, siç mund të mendojë dikush, por për të siguruar fitoren e të gjithë të majtës. Dikush duhet ta mendojë mirë këtë veprim para se të përfundojë kodi zgjedhor.
Ditët e fundit kemi një reagim nga një diplomat i lartë amerikan për përkeqësim të demokracisë në vend dhe ndërhyrje të ekzekutivit në institucionet e pavarura. Mendoni se dhe në vitin 1996 kishim të njëjta simptoma të vërejtura nga partnerët ndërkombëtarë ndaj qeverisjes së parë të PD-së?
Shenja e barazimit është mendoj shumë shpejt për t'u vendosur, por tendenca është e tillë. Ne e kemi konstatuar këtë përkeqësim të qeverisjes drejt autoritarizmit prej muajsh, por është për të ardhur keq që një opinion më i gjerë në Shqipëri brenda dhe jashtë politikës reagon dhe reflekton, vetëm atëherë kur tërheqin vëmendjen Departamenti amerikan i Shtetit, ambasadori amerikan në Tiranë, apo në përgjithësi institucionet ndërkombëtare. Këta miq e partnerë bëjnë shumë mirë që tërheqin vëmendjen, është një ndihmë e madhe që i jepet demokracisë dhe mbrojtjes së saj dhe institucioneve përfaqësuese në Shqipëri, por nuk do të jenë gjithnjë ata që do të duhet të japin sinjalet e alarmit për rreziqet e një shkarje nga standardet bazë të demokracisë. Mënyra se si po zhvillohen ngjarjet në Shqipëri kujton shqiptarët se qeverisja e dytë e PD po rrëshqet në shtratin e vjetër të politikës së viteve të shkuara, të cilën nuk besoj se shqiptarë që dëshirojnë ta risjellin në vëmendjen e tyre. Vërejtjet tepër serioze që vijnë nga Departamenti i Shtetit janë seriozisht një paralajmërim shumë i madh, që i bëhet personalisht zotit Berisha. Ai nuk duhet të harrojë ende, se në mandatin e dytë qeverisës nuk është ftuar akoma në Shtëpinë e Bardhë dhe nuk ka gjasa që kjo të ndodhë edhe për vitin në vazhdim. Po kështu, Kryeministri shqiptar me gjithë dëshirën e madhe që do kisha që t'i hapeshin dyert e kancelarive evropiane për vizita zyrtare dhe jo për dreka pune apo shtrëngim duarsh në takime ndërkombëtare, për fat të keq deri tani nuk ka realizuar vizita zyrtare të parashikuara nga protokolli, madje as vizita pune që janë një nivel më poshtë se ato zyrtare. Kjo do të thotë se Kryeministri shqiptar nuk konsiderohet një partner i besueshëm tek qeveritë evropiane, tek SHBA. Ato kanë rezerva serioze ndaj tij, jo vetëm të trashëguara nga qeverisja problematike '92-'97, por dhe nga mënyra se si tani ai qeveris vendin dhe përpiqet të kontrollojë institucionet. Me sjelljet e kohët e të fundit nëse do të vazhdohet mund të konkludohet si në kohën e pas zgjedhjeve të vitit 1996 kur zoti Berisha u armiqësua me SHBA, aq sa nuk pranoi për vizitë në Tiranë ndihmës zv.sekretarin e shtetit zotin Uorth apo me përfaqësuesit e BE në Tiranë dhe Bruksel, duke ngrirë marrëdhëniet dhe proceset integruese të vendit.
Ditët e fundit kemi një debat rreth deklaratës së rektorit të Universitetit të Vlorës për heqjen e emrit të Ismail Qemalit nga ky universitet. Cili është mendimi juaj për këtë çështje?
Është pak të them se jam befasuar me cilësinë time si qytetar i vjetër i Vlorës, me cilësinë time si historian dhe patjetër si deputet. Ka qenë një koincidencë që këto ditë që ndodhi ky vendim makabër i njerëzve obskurantistë dhe anti-kombëtarë, unë po merresha me studimin e diplomacisë së Ismail Qemalit dhe politikës së jashtme të qeverisë së tij. Unë u shokova kur, duke jetuar me ato çka lexoja për këtë burrë të madh shteti, për themeluesin e shtetit shqiptar, ngrihet një hiçgjë, që s'ka për t'i mbetur në kujtesën historike të kombit as edhe emri dhe hedh baltë dhe kërkon të zhbëjë një nga burrat më të mëdhenj të kombit shqiptar me pretekste absurde. Këta njerëz nuk meritojnë jo më rektorë dhe senatorë të Universitetit të Vlorës, por ata s'meritojnë as mësues në një fshat të humbur, sepse fëmijët dhe qytetarët shqiptarë, që kur lindin dhe shkollohen në vitet e para të jetës së tyre mësojnë, se cili ka qenë Ismail Qemali dhe vepra e tij. Këta janë njerëz anti-historikë, për rrjedhojë, jo vetëm historia, por as edhe qytetaria shqiptare nuk duhet t'i respektojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›