E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha midis diplomatit anonim dhe Presidentit Bush

Agim Neza 

Një ndër arsyet që po shkruaj këtë shkrim është lançimi në media i një ...prononcimi të një diplomati anonim amerikan në lidhje me zhvillimet demokratike në Shqipëri. A është ky një mendim personal i një diplomati apo një qëndrim zyrtar i Departamentit të SHBA?
Për mendimin tim, duket së është hera e parë në marrëdhëniet midis dy shteteve (Shqipëri-SHBA) që diplomatët e ambasadës së SHBA-së në Tiranë janë konfuzë dhe qëndrimet e tyre janë kontradiktore me linjën e Presidentit Bush, që nënkupton Shtëpinë e Bardhë.
Besoj se edhe vetë ambasadori i SHBA-së në Tiranë, shkëlqesia e tij, John Withers, është i ndërgjegjshëm se lëvizjet e tij diplomatike në Tiranë janë dukur më shumë si nisma të tij individuale se sa qëndrimi i Presidentit Bush apo Departamentit të Shtetit.
Faktet janë konkretë: Ngjarjet pas tragjedisë së Gërdecit përbëjnë edhe fillimin e prononcimeve publike të ambasadorit amerikan në Tiranë ndaj qeverisë së Tiranës, mbështetjen ndaj Presidentit të Shqipërisë dhe mbështetjen ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo është njëra anë, por ("qendra") "Shtëpia e Bardhë", madje vetë Presidenti Bush ka vepruar ndryshe, duke dërguar dy letra Kryeministrit Berisha, në të cilat shpreh mbështetjen për reformat e Kryeministrit Berisha. Me sa duket si reflektim i kësaj dhe konfuzionit midis stafit të ambasadës në lidhje me Gërdecin si dhe prononcimeve të tyre kontradiktore (në lidhje me takimin me ish-ministrin e Mbrojtjes, Mediu, në ambasadën amerikane), ka bërë që ambasadori Withers në një takim para disa javësh të vlerësojë reformat e Kryeministrit Berisha, kjo pas disa kritikave që Ai kishte bërë ndaj Qeverisë.
Interesante apo e Habitshme!?
Këtë radhë nuk del në skenë ambasadori amerikan në Tiranë, por një diplomat anonim! Në diplomaci, zakonisht diplomatët flasin "pa emër" kur kanë ndonjë rezervë për individë apo institucionet e tyre dhe jo ndaj një shteti tjetër. Kjo për faktin se qeveritë perëndimore, aq më tepër ajo amerikane, nuk përdor anonimatin për të kontribuar në përmirësimin e gabimeve, qeverisjen apo demokracinë e një vendi tjetër.
Pavarësisht nga rezervat e mija që kam për Kryeministrin Berisha, duhet të jemi realistë se Berisha arriti të sjellë në Shqipëri brenda mandatit të tij Presidentin Bush, arriti të marrë ftesën për anëtarësim në NATO, diplomacia shqiptare ishte shumë aktive për çështjen e Kosovës.
Pra, pavarësisht nga kritikat që mund t'i bëhen me të drejtë Berishës, nuk mund të merren të mirëqena ato që thotë një diplomat anonim. Kjo edhe për faktin se në shumë raste ne nuk reflektojmë edhe kur na bëjnë kritika zyrtare qeveritë e ndryshme, lere pastaj kur flitet me anonimat.
Natyrisht diplomacia amerikane ka forma të ndryshme për të ndikuar në proceset demokratike të një vendi, por jo në këtë mënyrë. Unë nuk them për të qenë aq "transparent" sa ishte ambasadori Rajson, i cili "pat mbushur një kovë me gëlqere" dhe lyente pemët e bulevardit "Dëshmorët e Kombit", por të paktën të gjendet një e mesme! Kjo edhe për faktin se, nëse duhet dhënë një qëndrim zyrtar, ambasada e SHBA ka një Zyrë të Marrëdhënieve me Publikun, ka një zyrtar (Desk Officer) në Departamentin e Shtetit që mbulon Shqipërinë, të cilët mund të prononcohen zyrtarisht.
E lançoj me force këtë mënyrë komunikimi, sepse më duket shumë larg mënyrës dhe rolit të demokracisë amerikane. Kjo për faktin se kam ndjekur në SHBA programin "International Visitor Programe" (qëllimi i vizitës: Si funksionon demokracia amerikane dhe marrëdhëniet me median), gjithashtu më kanë ftuar disa herë në takime me personalitete të ndryshme të SHBA-së, që vinin në Shqipëri ku ftonin intelektualë apo gazetarë për një koktej apo për një darkë në rezidencën e ambasadës amerikane apo në ndonjë lokal të Tiranës dhe nuk ka ndodhur që pas një takimi të tillë të shkruhej në shtypin shqiptar ato që u diskutuan gjatë darkës, aq më tepër të mos citohet emri i diplomatit. Çdonjëri e kupton se çdo gazetar do të dëshironte të citohej emri i burimit, por me sa duket kushti për t'u botuar duhet të ketë qenë mbajtja e emrit anonim!
Me shpresë se ambasada do të thotë emrin e diplomatit dhe mendimi im për ato që thotë diplomati anonim...!
Emri do të kishte rëndësi për opinionin publik, thjesht për të treguar nëse është qëndrim personal i një diplomati (qoftë ky edhe diplomat karriere) apo qëndrim zyrtar i SHBA-së.
Diplomati thotë se, "Presidenti Bush ka simpati të veçantë për Shqipërinë". Natyrisht, anonimati diplomat nuk po na thotë asgjë të re, kjo për faktin se e kemi parë dhe dëgjuar gjatë vizitës së tij në Shqipëri, e kemi përjetuar mbështetjen e tij për anëtarësim në NATO, etj.
Sipas gazetës "Panorama", që i referohet diplomatit thuhet:
- .....Se konflikti me Presidentin u vërejt për anëtarët e Gjykatës së Lartë. "Është e pamundur që në gjashtë kandidatë asnjë të mos jetë i mirë".
Nuk dua të zgjatem shumë në lidhje me këtë temë, se e kam trajtuar në gazetën "Panorama" me titullin "A u 'ekzekutua' politikisht Presidenti Topi!?", por më bën përshtypje se si diplomati amerikan nuk vlerëson votimin e dytë dhe votat e maxhorancës, të paktën të thotë qëndrimi i dytë është për t'u vlerësuar, madje mund të shtonte "u habita se si u votuan të gjashtët"!
- Përsëri sipas diplomatit "Shqetësim serioz janë përpjekjet e Kryeministrit për të ngritur një Super Agjenci Shërbimesh Sekrete, sipas modelit të këshilltarit të tij Tom Rixh"?
Lind pyetja ime për diplomatin: Pse nuk duhet t'i besojmë amerikanit tjetër Rixh që ka një eksperiencë në Shtëpinë e Bardhë dhe duhet t'i besojmë eksperiencës së një diplomati pa emër, aq më tepër që një debat i tillë duhet bërë fillimisht me Presidentin, Kryeministrin, me përfaqësues të Parlamentit shqiptar, përfaqësues të Shërbimit Informativ, Sigurisë Kombëtare etj., pastaj të turret të shpërndajë lajmin te gazetarët. Nga ana tjetër, besoj se diplomati amerikan nuk ka pse shqetësohet shumë se bashkëpunimi i shtetit shqiptar dhe i drejtueseve të agjencive të tilla shqiptare me homologët amerikanë ka qenë i shkëlqyer që pas 1992 dhe në vazhdim. Pra, mund të jetë një debat i hapur nëse ia vlen për ta patur apo jo, por të mos trajtohet për momentin si shqetësim serioz!
- Përsëri sipas diplomatit: "Ata po shikojnë me dyshim sulmet ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe përpjekjet për ta vënë atë nën kontroll"?
A mund të arrijë në konkluzion diplomati me dy replika që janë bërë midis nënkryetarit të KLD-së dhe ministrit të Drejtësisë? Nuk kemi dëgjuar ndonjë reagim direkt të nënkryetarit të KLD-së ndaj Kryeministrit Berisha, se ky i fundit "po përpiqet ta vërë nën kontroll atë". Me informacionin gazetaresk që kam unë, Berisha ka muaj që po pret me padurim nga nënkryetari i KLD-së t'i dërgojë "Librin e Bardhë" për të parë se çfarë është shkruar në të!
- Sipas gazetës "Shekulli", diplomati amerikan thotë: "Lidhur me Prokurorinë e Përgjithshme... SHBA e kanë parë si zhvillim negativ, faktin që kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka fotokopjuar fjalimin e Fatmir Mediut në seancën e Kuvendit dhe i ka rekomanduar Prokurores së Përgjithshme të orientojë hetimet sipas deklaratave të zotit Mediu"?
Kjo është gallatë e madhe: a) Gjer në këto momente nuk kemi dëgjuar ndonjë prononcim zyrtar të Prokurores së Përgjithshme në lidhje me këtë çështje. Aq më tepër që në prononcimet publike të saj, Ajo ka theksuar se hetimet janë drejt përfundimit dhe nuk kam asnjë ndërhyrje për këtë çështje. Gallatë e madhe! Shqetësohet diplomati anonim dhe nuk shqetësohet znj.Ina Rama?! Pastaj diplomati amerikan duhet të kuptojë se edhe në Shqipëri ka avancuar teknologjia moderne. Nëse znj.Topalli do t'i dërgonte fjalimin znj I.Rama do t'ia "dërgonte në mënyrë më të moderuar", pra të paktën me një DVD!? E kam fjalën, nëse vërtet dëshironte "të orientojë hetimet..." siç pretendon diplomati anonim!!
Përsa i përket OSBE-së, pa mohuar rolin e këtij institucioni të rëndësishëm dhe ndihmesën që i ka dhënë vendit tonë në proceset demokratike, për hir të së vërtetës duhet theksuar se stafi i saj në Tiranë dhe jo organizata e OSBE-së, "goditjen" për mungesën e efikasitetit të saj në politikën shqiptare e ka marrë pas ndryshimeve në Kushtetutën e Shqipërisë, të cilat u bënë nga maxhoranca dhe Partia Socialiste pa ndërhyrjen e OSBE-së.                  
Pra, perceptimi i disa analistëve është se përfaqësuesit e disa organizmave ndërkombëtare në Shqipëri i komplikojnë më shumë situatat se sa ndihmojnë për të zgjidhur probleme, madje kjo vështirësi ndikon që të trajtohen mirë financiarisht se janë duke punuar në zona të vështira! Kjo nuk ka të bëjë me OSBE-në si organizatë, por me mefshtësinë e përfaqësueseve të saj në Tiranë.
Me deklarata të  tilla të një diplomatit anonim mund të arrijmë në konkluzionin se: Përsa kohë që do të bazohemi tek diplomatë anonim, Kryeministri Berisha do të bëhet edhe më i fuqishëm dhe me të drejtë diplomat të tillë mund t'i konsiderojë si "cironka"!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›