E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronarët: Jemi të ligjshëm, destinacioni ndryshoi në 2006

Pronarët e truallit të kompleksit sportiv "Partizani", reaguan dje në mbrojtje të pronës së tyre. 

Një grup pronarësh, të cilët përfitojnë nga privatizimi i kompleksit sportiv "Partizani" dhe që kanë marrë leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës, u mblodhën dje në sipërfaqen e pronës së tyre, duke u shprehur se janë pronarë të ligjshëm të saj. Ky reagim i tyre mediatik erdhi pas denoncimit që sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili bëri ndaj aferës, sipas tij, të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama, në dhënien e lejes së ndërtimit dhëndrit të Kryeministrit Berisha në shkelje të ligjit. Një nga 64 pronarët e kësaj prone, është dhe dhëndri i Kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi. "Dokumentet nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, për pronën e trashëguar i kemi përfituar në vitin 1995 dhe këtij terreni sportiv i ndryshoi destinacioni në vitin 2006", u shpreh një nga pronarët. Duke iu përgjigjur pretendimit të LSI-së për favorizimin që i është bërë nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës familjarit të Kryeministrit Berisha, ai u shpreh se "ne si pronarë kemi zhvilluar të gjitha procedurat ligjore pranë Bashkisë së Tiranës për të pajisur pronarët me leje ndërtimi dhe shesh ndërtimi. Zoti Malltezi është vetëm një nga 64 pronarët e këtij trualli". Kompleksi sportiv "Partizani" është një sipërfaqe e konsiderueshme, ku sporte të tilla si basketbolli, volejbolli dhe atletika zhvillonin aktivitetin e tyre. Pronarët e këtyre sipërfaqeve treguan dje se prona e tyre, e mbuluar me shkurre, nuk kishte prishur asnjë aktivitet sportiv, pasi ajo që prej viteve '90 nuk është përdorur më nga klubi "Partizani". Pak muaj më parë, kjo sipërfaqe, është rrethuar me rrjetë teli, por më pas ky veprim është ndaluar.
Privatizimi
Duke respektuar pronarët e ligjshëm të truallit në kompleksin sportiv "Partizani", LSI sqaroi dje se vendimi i KRRT së Bashkisë të Tiranës është në shkelje flagrante me ligjin. Duke treguar një vendim të firmosur nga ministri i Ekonomisë Genc Ruli, më 4 shkurt 2008, tregohet ngritja e komisionit të vlerësimit për privatizimin e kompleksit sportiv "Partizani". Sekretari për marrëdhëniet me publikun në LSI, Luan Rama, argumentoi se leja e ndërtimit dhe sheshi për të janë miratuar në dhjetor 2007, para procesit të privatizimit të klubit sportiv në fjalë. "Në një proces pararendës të vendimmarrjes pa u miratuar ndryshimet në ligjin "Për Sportet" është e përfshirë edhe ministria e zotit Ruli, me urdhrin e të cilit kanë nisur praktikat e privatizimit të mjediseve të klubit sportiv "Partizani". Ky urdhër i ministrit Ruli para miratimit të ndryshimeve në ligjin "Për Sportet", dëshmon interesin e Berishës për mjediset e klubit "Partizani", çka përbën vetëm një rast të bashkëpunimit në kundërshtim me ligjin dhe në konflikt të hapur interesash, i cili fatkeqësisht nuk është i vetmi, por që do të vijojë me mjediset e kompleksit Dinamo, e të tjera, për të cilat kanë nisur procedurat ende pa hyrë ligji në fuqi, çka dëshmon për kapjen totale të shtetit prej korrupsionit konsensual", tha Rama.                  a.l

Dhëndri i Berishës
Jamarbër Malltezi, dhëndri i Kryeministrit Berisha është një nga 64 pronarët që përfitojnë nga privatizimi i klubit sportiv "Partizani" dhe leja e ndërtimit e KKRT së Bashkisë të Tiranës. LSI akuzoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës se ka qenë pikërisht familjari i Kryeministrit Berisha, që ka detyruar Ramën që të japë sheshin e ndërtimit, para se të mbaronin procedurat e privatizimit të klubit sportiv "Partizani".

LSI: Kryetari i bashkisë afera me Berishën

Sekretari i marrëdhënieve me Publikun, Luan Rama akuzoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama për afera me Kryeministrin Berisha. Sipas tij, heshtja ndaj tragjedisë së Gërdecit lidhet pikërisht me këto afera. "Përmes provash shkresore, përmes një morie dokumentesh zyrtare, që LSI i disponon, provohet se i gjithë i ashtuquajturi proces i dialogut politik midis kryetarit të PS-së, përkatësisht edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të PD-së, alias edhe Kryeministër i vendit, apo thënë ndryshe bashkëpunimi midis Edi Ramës dhe Sali Berishës ka në bazën e vet interesa korruptive, që përkthehen në leje ndërtimi, në tjetërsim të sipërfaqeve të gjelbëruara dhe në cenim të cilësisë së jetës së qytetarëve. Janë këto interesa korruptive që ngjizën bashkëpunimin mes tyre, për të mos lejuar ngritjen e një komisioni hetimor në Kuvendin e Shqipërisë për krimin shtetëror të Gërdecit, janë këto interesa që frymëzuan dhe realizuan dhunimin e Kushtetutës natën e 21 prillit", u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›