E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i ujësjellësve, Banka Botërore kërkon sqarime nga KLSH

Raportet e publikuara së fundmi nga KLSH mbi disa shkelje financiare në projektet e Bankës Botërore, kanë detyruar Camille Nuamah të kërkojë sqarime të mëtejshme. Zyra e shtypit pranë BB-së njoftoi se përfaqësuesja e Zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Nuamah dhe zyrtarë të tjerë të BB-së janë takuar dje me drejtuesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Qëllimi i takimit ishte publikimi i disa raporteve të KLSH-së në media sa i takon projekteve të financuara nga Banka Botërore në Shqipëri. "Banka Botërore ka vërejtur disa shkrime në media në lidhje me auditimet dhe është në pritje të kopjeve të këtyre raporteve që lidhen edhe me projekte të financuara nga Banka Botërore, pasi këto raporte të finalizohen dhe jepen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit", njoftoi zyra e shtypit.

Gjatë takimit, palët diskutuan mbi çështje të bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit dhe ndërtimit të kapaciteteve, si dhe u sqaruan çështje që kanë të bëjnë me detyrimet e institucioneve publike që përfitojnë nga projektet e financuara nga Banka Botërore.

Projekti i furnizimit me ujë në katër qytete kryesore, me fond të akorduar nga BB-së, 15 milionë dollarë, nuk ka gjetur zbatimin e duhur. Jo vetëm që nuk është arritur objekti, por janë konstatuar shkelje në drejtim të shpërblimeve dhe shpërdorim me fondet. Në qendër të akuzës nga KLSH-ja ka qenë një kompani e huaj gjermane, e cila mori përsipër të menaxhojë fondet e projektit.

Nisur nga rëndësia e bashkëpunimit, palët ranë dakord se rekomandimet e KLSH-së mund të ndihmojnë të forcohet zbatimi dhe efektiviteti i financimeve të donatorëve në përpjekjet e Shqipërisë për zhvillimin. "Jemi të kënaqur që Kontrolli i Lartë i Shtetit përpiqet të sigurojë që investimet e financuara nga Banka Botërore dhe asistenca teknike në Shqipëri të vazhdojnë të përdoren siç duhen, veçanërisht edhe pas mbylljes së këtyre projekteve", theksoi Nuamah "dhe mirëpresim diskutime të tjera për ndërtimin e kapaciteteve në mbikëqyrjen financiare gjatë vizitës së ardhshme në vend të Drejtuesit Financiar Rajonal për Rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›