E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, minatorët kërcënojnë me protesta

Vendimi i pak ditëve më parë të qeverisë për moshën e daljes në pension të minatorëve në moshën 60 vjeç për burrat dhe 55 vjeç për gratë është kundërshtuar nga Sindikata e Minatorëve të Minierës së Kromit Bulqizë, më e madhja në vendin tonë. Rreth 700 minatorë paralajmërojnë fillimin e protestave në rast se nuk merren parasysh kërkesat e tyre. Minatorët, të pakënaqur me vendimin e qeverisë, i janë drejtuar dje me një peticion Kryeministrit Sali Berisha dhe krerëve më të lartë të shtetit, për uljen e moshës së daljes në pension, në 50 vjeç. Miniera e Bulqizës e ka filluar aktivitetin e saj në vitin 1948, ku i janë dhënë ekonomisë së vendit deri më tani rreth 13 milionë tonë krom. "As nuk mund të mendohet që një minator që punon për dhjetëra vite në nëntokë në tre turne, përballë mungesës së plotë të rrezeve të dritës, me ajër të munguar dhe të ndotur nga gazrat që çlirohen nga dekompozimi i lëndës drusore që përdoret për armatim, me lagështirë në norma tejet të rrezikshme për jetën e minatorëve, me pluhura ku treguesit e matjes së tyre janë jashtë të gjitha normave të lejuara, të dalë në pension në moshën 60 vjeç", thuhet në peticion.

L.H.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›