E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, minierat e kromit rrezikojnë të mbyllen

Shkaku është bërë një urë e vjetër, e cila është duke u shembur dhe nuk mund të kalohet mbi të


BULQIZË- Minierat e Bulqizës rrezikojnë të mbyllen dhe këtë herë jo për shkak të krizës globale apo luhatjeve në bursa por të një ure. Bëhet fjalë për një urë të aksit nacional Burrel-Bulqizë mbi të cilën nuk lejohet kalimi i makinave të tonazhit të rëndë. Dhe pikërisht me këto makina kryhet edhe transporti i mineralit të kromit. Ka qenë policia vendore, e cila duke parë gjendjen e rënduar të kësaj ure që prej muajsh është problematike, u ka thënë stop kalimit të mjeteve të tonazhit të rëndë mbi 24 ton.
Burimet policore sqaruan se prej kohësh është dhënë alarmi i prishjes dhe shembjes së kësaj ure, vepër arti nga më të rëndësishmet e këtij aksi rrugor nacional. Kanë qenë madje ndërtuesit e huaj që e kanë evidentuar këtë fakt, dhe dikasteret e Rendit dhe të Transportit, dhanë alarmin për të mos kaluar më makina të tonazhit të rëndë. Janë pikërisht dhe kryesisht mjetet e minierave të kromit që kalojnë në këtë urë, të cilët që prej ditës së sotme, nuk do të lejohen më ta bëjnë një kalim të tillë. Një situatë e tillë nga ana tjetër ka alarmuar drejtuesit e firmave të kromit, madje burime nga firmat koncesionare sqaruan se bllokimi i mjeteve të minierës kryesore në Bulqizë, e ka vënë në vështirësi të mëdha ekonomike firmën austriako-ruse ndaj për këtë ata i janë drejtuar Ministrisë së Ekonomisë, asaj të brendshme dhe të Transportit. Ata i kanë sqaruar drejtuesit e këtyre dikastereve se e vetmja mënyrë për transportin e mineralit janë mjetet e tonazhit të rëndë. Mjetet tona peshojnë pa krom mbi to afro 20 ton, por që policia nuk i lejon mbi peshën 24 ton të kalojnë, që do të thotë që ne të ndërpresim nxjerrjen dhe transportin e mineralit të kromit. Nëse do të ngjasë kjo, thanë përfaqësues të firmës koncesionare, do të detyrohemi të ndërpresim punën në minierë, që korrespondon dhe me nxjerrjen e të paktën 660 punëtorëve të papunë, shtuar dhe dëmi tjetër që vjen nga mbyllja e firmave private.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›