E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen 100 kg drogë, vinin nga Lazarati

Gjirokastër, policia ka arrestuar studentin 19-vjeçar, i cili kishte me vete edhe një automatik me fishek në gojë

GJIROKASTËR- policia e Gjirokastrës ka bllokuar sërish një sasi droge që kishte prejardhjen nga fshati Lazarat dhe destinacion përfundimtar tregun grek. Operacioni i koduar "Manastiri" ka përfunduar me sekuestrimin e 100 kilogramëve marijuanë dhe arrestimin e studentit të armatosur. Policia ka shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë të implikuar në këtë rrjet. Ky është rasti i katërt i sekuestrimit të drogës në qarkun e Gjirokastrës brenda 37 ditëve të para të vitit.
Operacioni i koduar "Manastiri", një bashkëpunim ndërmjet Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar dhe Policisë Kufitare ka pasur si shtysë një sërë informacionesh të mbërritura në rrugë operative për trafikimin e kësaj sasie nëpërmjet vijës së gjelbër të kufirit. Katër trafikantët janë konstatuar rreth orës 19.00 të mbrëmjes, ndërsa janë dashur më shumë se pesë orë ndjekje për të bërë të mundur sekuestrimin e sasisë së drogës dhe arrestimin e njërit prej tyre, i cili ishte i armatosur. "Pas një ndjekjeje të gjatë në një terren tepër të vështirë, rreth mesnatës, në vendin e quajtur "Manastiri" fare pranë vijës së kufirit, u bë e mundur kapja e njërit prej këtyre shtetasve, i cili ishte i armatosur me një armë zjarri tip kallashnikov me fishekë në gojë duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë që bënë bllokimin e tij. Më konkretisht, ai është Evaris Pasha, 19 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Memaliaj, student në Universitetin "Eqerem Çabej" Gjirokastër, në vitin e parë, dega Infermieri. Bashkë me këtë person u bllokua dhe lënda narkotike, e cila ishte e ambalazhuar në pako cilindrike të mbështjella me letër natriban të futura në katër çanta të mëdha, gjithsej rreth 100 kilogramë. Personat e tjerë mundën të largoheshin duke përfituar nga errësira dhe terreni tepër i vështirë",- ka bërë të ditur zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, Gentian Mullai.
Hetimet e kryera pas përfundimit të operacionit kanë treguar se sasia e lëndës narkotike ishte marrë në fshatin Lazarat dhe si destinacion përfundimtar kishte Greqinë. Ndërkaq, është bërë i mundur edhe identifikimi i tre transportuesve të tjerë, të cilët janë shpallur persona në kërkim për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. E njëjta akuzë rëndon edhe mbi të arrestuarin e vetëm,19-vjeçarin Evaris Pasha. Më tej, hetimet do të kryhen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, të cilës i ka kaluar kjo çështje. Trafikimi i lëndëve narkotike nëpërmjet vijës së gjelbër të kufirit, me çanta nga këmbësorë është tashmë një formulë e përdorur në shumë raste. Më shumë se 300 kilogramë drogë e llojit marijuanë është bllokuar dhe sekuestruar nga policia e Gjirokastrës vetëm për këtë vit, në katër raste, ku të arrestuar janë shtatë persona, ndërsa gjashtë të tjerë rezultojnë të shpallur në kërkim.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›