1 vit nga liberalizimi i vizave Shqipëri – BE. Berisha: Rama dështoi me përpjekjen e tij bllokuese, qytetarët e ndëshkuan më 8 maj

Edi Ramës i ka mbetur veç ta shpallë veten “kurban”
UPDATE- Shefi i ekzekutivit Sali Berisha doli sot në një konferencë për shtyp, në 1 vjetorin e vendimit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, ku deklaroi se hyrja në “Schengen”, ishte një proces tërësisht i merituar, i cili erdhi falë reformave dhe zotimit të mazhoranës. Sipas kryeministrit, reformat e Schengenit u realizuan në kohë, pasi fatmirësisht nuk vareshin nga votat e Ramës, i cili në rastin më të parë bllokoi ligjesh me shumicë të cilësuar, për të penguar integrimin e Shqipërisë në BE. Liberalizimi i vizave ishte një proces tërësisht i merituar. Shqiptarët ishin me fat, pasi reformat për to nuk vareshin nga votat e Ramës. U mundua të bllokojë heqjen e vizave, por që nuk ia doli dot. Kreu i opozitës për të bllokuar vizat me sjelljet e tij, hap kutitë të çlirojnë vizat, me letrat e tij se po hoqët vizat 1 milionë shqiptarë do të derdhen në Europë, patën zero efekt në këtë process”- u shpreh Berisha.
Ai ka theksuar se Rama është i vetmi lider i opozitës i cili ka bërë të gjitha përpjekjet për të penguar heqjen e vizave ashtu siç pengoi edhe marrjen e statusit të vendit kandidat duke mbajtur peng ligjet me 3/5. “Shqiptarët ishin me fat se ky proces, ndonëse bazohej në dhjetëra ligje e reforma, nuk bazohej në ligje me 3/5 që të mund ta bllokonte zoti Rama, siç bllokoi çdo ligj me 3/5 përfshirë dhe ata që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore dhe jetën e shqiptarëve, me luftën kundër larjes së parave dhe trafiqeve, me gjykimin mbi bazën e Kodit Administrativ (Gjykata Administrative). Na kanë mbetur ligjet me 3/5 që Rama i mban si plackë tregu për të dënuar shqiptarët me statusin e vendit kandidat”- tha kryeministri. Berisha vuri në dukje se heqja e vizave u bë falë reformave të sukseshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare. “Heqja e vizave erdhi si rezultat i reformave të thella dhe të gjithanshme të cilat vendosën standarde krejtësisht të reja të sigurisë. Reforma që shndërruan Shqipërinë në një prodhues të vërtetë të stabiliteti në rajon dhe më gjërë”.
Shefi i ekzekutivit garantoi gjithashtu se qeveria është e zotuar për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ai tha se bllokuesi i këtij procesi, lideri i opozitës, Edi Rama e mori përgjigjen më 8 maj, me humbjen me 140 mijë vota në shkallë kombëtare. Sipas Berishës, Ramës i ka mbetur veç ta shpallë veten “Kurban”. Në 8 maj Rama përpjetoi humbje. Nuk e di nëse do të ngushëllohet duke e shpallur veten ‘Kurban’. Por ai mbetet humbësi me 140 mijë vota në shkallë vendi, me 19 deputet më pak, humbës në shumicën e minibashkive, humbës në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe të minibashkive”.
Ndërkaq, i pyetur nga mediat në lidhje me një marrëveshje të fshehtë mes mazhorancës dhe opozitës për ligjet me 3/5, kryeministri Berisha theksoi se kontaktet mes dy palëve kanë qënë të domosdoshme. “Mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike ka kontakte dhe kjo është gjëja më normale. Këto kontakte janë të domosdoshme për të diskutuar për çështje që janë të një rëndëisie të dyanshme. Është e sigurtë që çdo propozim i opozitës ne e shqyrtojmë me seriozitet të merituar. Ky është qëllimi im konstant dhe i përhershëm dhe këtu s’ka asgjë për t’u çuditur nëse diskutohet për tema që dihen”.