E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka Botërore: Shqipëria, i vetmi vend në Europë me rritje ekonomike

08-11-2011 / Gazeta 55

Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Kseniya Lvovsy, ka deklaruar nga qyteti i Korçës se Shqipëria ka shënuar rritje të larta ekonomike. Gjatë një ore leksioni me studentët e fakultetit ekonomik, të universitetit të Korçës “Fan Noli”, Lvovski ka theksuar se Shqipëria ka qenë i vetmi vend në Europë që pavarësisht krizës botërore vazhdoi të ketë rritje ekonomike edhe për vitin 2009. Ndërsa në shumë vende të Europës ekonomia u tkurr dhe prodhimi i përgjithshëm bruto u ul në masën 30 përqind, Shqipëria njohu sërish rritje ekonomike. Nga ana tjetër, drejtoresha e Bankës Botërore ka vlerësuar se Shqipëria ka shënuar sukses vitet e fundit edhe përsa i përket uljes drastike të nivelit të varfërisë, sidomos në zonat rurale, nga 25 përqind në 12 përqind. Por para Shqipërisë sot paraqiten sfida të reja të cilat kanë të bëjnë me ndihmën sociale, e cila,sipas saj duhet të jetë e targetuar më mirë dhe të shkojë tek personat që kanë vërtet nevojë, po ashtu duhet pasur në vëmendje edhe dhënia e mundësive nëpërmjet përmirësimit të sistemit arsimor, duke e cilësuar këtë të fundit si faktorin më të rëndësishëm për suksesin e ekonomisë shqiptare. Më tej, kreu i Bankës Botërore për vendin tonë, u ka bërë të ditur studentëve, mbështetjen e vazhdueshme të këtij institucioni me projekte për mjaft sektorë të ekonomisë shqiptare, shëndetësisë, arsimit dhe shoqërisë civile, të cilat arrijnë vlerën e 1.4 miliard dollarëve. Me financim të Bankës Botërore, është bërë e mundur blerja e aparaturës së autokllavës dhe mamografisë në spitalin e Korçës. Ndërsa në kuadër të mbështetjes për arsimin, BB ka mundësuar ndërtimin e 6 laboratorëve të rinj në universitetin e Korçës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›