E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wollfarth: Reforma Zgjedhore, është koha të shohim hapa konkretë

08-11-2011 / Gazeta 55

Kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, ambasadori Eugen Wollfarth, përsëriti sot gjatë një komunikimi me mediat, apelin për nisjen e bashkëpunimit mes forcave politike, në funksion të reformës zgjedhore. Deklarata e Wollfarth u bë pas konferencës për rritjen e rolit të grave në qeverisje dhe funksione publike. Wollfarth komentoi edhe programin e ri të Partisë Socialiste, për të cilin tha se diskutimet janë të tepërta pasi ende s’është i përfunduar.

A është zbatuar kuota 30 për qind në Kod, duke qenë se në zgjedhjet e fundit ka pasur vetëm tre gra të zgjedhura në pushtetin vendor?
 
Ambasadori Wollfarth: “Roli i grave është vërtet një element shumë i rëndësishëm, që duhet të zërë vend qendror në reformën e Kodit Zgjedhor gjatë diskutimit të çështjeve gjinore.
 
Lajmi që ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar do të dërgohen sot në komisionet përkatëse është inkurajues në vetvete dhe ndër to do të jetë, padyshim, edhe reforma e Kodit Zgjedhor.
 
Deri tani të dyja partitë e mëdha, PD-ja dhe PS-ja, kanë ndërmarrë hapa shumë konstruktivë. Shpresoj që së shpejti të shohim zhvillime në parlament, në komisionet përkatëse ad hoc. Po ashtu si OSBE/ODIHR-i, ne jemi të gjithë të gatshëm, përfshirë Komisionin e Venecias të Këshillit të Evropës, që të japim asistencë të mëtejshme”.
 
Edhe më parë janë bërë deklarata rreth ngritjes së një komisioni për reformën zgjedhore dhe kjo nuk ka ndodhur. Çfarë mendoni se do të ndodhë nëse edhe kësaj radhe ndodh e njëjta gjë?
 
Ambasadori Wollfarth: “Është shumë e rëndësishme të shohim hapa konkretë. Fjalët ekzistojnë, tani duhet të pasohen nga veprat. Vendi ka nevojë të shohë të bëhen hapa përpara, përfshirë dhe duke filluar nga reforma e Kodit Zgjedhor”.

Të shtunën, Partia Socialiste prezantoi programin e saj për një qeverisje në vitin 2013. Ju ishit të pranishëm gjatë prezantimit që i bëri kreu i PS, z. Edi Rama. Në këndvështrimin tuaj, a është ky një program i vërtetë qeverisjeje dhe si ju duken linjat kryesore?

Ambasadori Wollfarth: “Së pari, lejomëni t’ju them se veprimtaria e sotme i kushtohet rritjes së rolit të gruas në qeverisje. Jemi në fillim të një konference shumë cilësore dhe brenda një kohe të shkurtër do të shohim më shumë rezultate prej saj.
 
Sa i përket pyetjes suaj: është shumë e rëndësishme që partitë e mëdha, siç është Partia Socialiste e Shqipërisë, të zhvillojnë programet e tyre. Ky, në vetvete, përbën një progres madhor. Nëse informacionet që kam janë të sakta, programi nuk është përfunduar ende, është ende në hartim e sipër. Duhen edhe dy vjet deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 dhe është shumë inkurajuese të shohim zhvillimin e këtij procesi. Testi i zbatueshmërisë do të vijë pasi programi të përfundohet, duke filluar nga çështjet e buxhetit dhe se si mund të financohen disa nga elementet. Dokumenti i ka të gjitha mundësitë që të qartësojë se cili mund të jetë opsioni në zgjedhjet e ardhshme dhe mendoj se qytetarët kanë të drejtë ta kenë këtë qartësi. Thënë shkurt, është padyshim e rëndësishme të shohim se si do të zhvillohen çështjet e detajuara në të ardhmen”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›