E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Lazarati” i “ha” kokën drejtuesve të policisë



Luan Kondi

TIRANË – Lazarati ta “ha” kokën, këtë më mirë se kushdo tjetër e dinë drejtuesit e uniformave blu, pasi shpesh për mosrealizimet e detyrave ata detyrohen të lënë detyrat e madje ndokush edhe përgjithnjë kapelën. Duket se kjo histori do të vazhdojë për vite me radhë. Edhe dje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur një sërë transferimesh në Policinë e Gjirokastrës, Elbasanit, dhe Kurbimit.
Motivacioni i munguar
Policia e Shtetit nuk ka dhënë asnjë motivacion për këto lëvizje, por ato kuptohet se erdhën menjëherë pas incidenteve të fundit në Lazarat. Zëvendësdrejtori Ylli Metko, dhe shefi i Komisariatit të Gjirokastrës Artan Osmani, janë transferuar në poste të tjera, ndërkohë që në vendet e tyre janë emëruar Halit Murati dhe Nazmi Shuli. Po ashtu Arben Hysenaj vjen në postin e drejtorit të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, vernd ky i mbetur bosh nga largimi i disa kohëve më parë i Hysni Burgajt, i cili mori detyrën e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Nëpërmjet një njoftimi për mediat Policia e shtetit bëri me dije se ish- zëvendësdrejtori i Policisë së Gjirokastrës Ylli Metko është emëruar në Elbasan, kurse vartësi i tij Osmani ka zëvendësuar në krye të policisë së Kurbinit Nazmi Shulin. Lëvizjet janë bërë dhe në Policinë Rrugore të Gjirokastrës. Kështu nga posti i shefit të Qarkullimit është larguar Gjylani Shehu dhe në vend të tij u emërua Blerim Laçi. Pas largimit të Arben Hysenajt nga Elbasani për të kryesuar drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, ne qytetin Shqipërisë së mesme është emëruar si kreu i Policisë, Hamdi Fiora. Hamdi Fiora është aktualisht edhe Drejtor i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Ngërçi Lazarat
Edhe pse Policia e Shtetit nuk ka sqaruar asgjë lidhur me arsyet e lëvizjeve në radhët e bluve të Gjirokastrës, ato kuptohet se lidhen me mosrealizimin e detyrave për asgjësimin e bimëve narkotike në fshatin problematik të Lazaratit si dhe terrorin që banorë të këtij fshati ushtrojnë mbi zonat përreth duke qëlluan gjatë natës për të dhënë sinjale se nuk do të lejojnë policinw të shkojë në fshat dhe të asgjësojë Cannabisin e mbjellw prej tyre. Vetëm këtë fundjavë janë dëgjuar të shtëna me armë nga Lazarati që kanë terrorizuar banorët që jetojnë pranë fshatit kultivues të hashashit. Pas dëshmive se lazaratasit qëllojnë çdo natë më armë, Policia e Qarkut të Gjirokastrës doli me një deklaratë për shtyp ku konfirmoi se të shtënat janë sporadike, por që autorët janë të identifikuar dhe që së shpejti do të vihen para drejtësisë.

29 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›