Tërmete 4.5 ballë në Korçë, s’ka dëme materiale
KORÇË - Tre tërmete të fuqishme janë ndier dje në Juglindje të vendit. Specialistët e Qendrës Sizmike bëjnë të ditur se tre tërmete të njëpasnjëshme më fuqi 4.5 ballë kanë rënë dje rreth orës 05:30 të mëngjesit. Po sipas këtyre burimeve, epiqendra e tërmetit ka qenë në afërsi të Gramshit, në zonën e Voskopojës rreth 13 kilometra larg Korçës. Fuqia e tij e madhe është ndier deri Pogradec dhe rrethinat e tij. Nuk ka munguar paniku tek banorët e këtyre zonave, shumica e të cilëve pasi kanë ndier tre tërmetet e njëpasnjëshme kanë dalë nga shtëpitë për më shumë siguri. Nga të dhënat e deritanishme nuk bëhet fjalë për dëme në njerëz, apo materiale. Sipas specialistëve të Qendrës Sizmike, zona juglindore e vendit njihet si një zonë me proces të vazhdueshëm sizmik, ku lëkundje të lehta tërmeti ndjehen herë pas here.
Shoqërohen katër persona për shfrytëzim të paligjshëm të inerteve
TIRANË - Katër persona janë shoqëruar nga policia e Tiranës pasi dyshohen për shfrytëzim inertesh në mënyrë të paligjshme, bënë të ditur dje burime zyrtare nga Policia e Qarkut. Sipas këtyre burimeve, shtetasit Renato Bezhani, 21 vjeç, Alfred Myrto, 33 vjeç, Telha Çela, 45 vjeç dhe Besnik Bilali, 54 vjeç, të katër banues në Tiranë, mendohet se kanë shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme lëndët inerte në lumin Erzen, pranë komunës së Ndroqit. Bëhet e ditur se “Task Forcë” pranë Prefekturës së Tiranës, në bashkëpunim me Inspektoratin e Ndërtimit, ka vendosur vënien e gjobës prej 500 000 lekë subjektit juridik “Bezhani”, për të cilin po punonin katër personat e mësipërm, të cilët pas intervistimit në mjediset e policisë janë lënë të lirë.
Zjarri djeg 40 hektarë ullishte e kullota
SARANDË - Një zjarr i rënë që mesditën e dy ditëve më parë në fshatrat e Sarandës vazhdonte të ishte aktiv edhe dje. Në ndihmë të zjarrfikësve të Sarandës, është duke punuar edhe një avion i ardhur nga Greqia me kërkesë të palës shqiptare. Zjarri ka rënë fillimisht në komunat Livadhja e Dhivër për t’u përhapur me shpejtësi edhe në fshatrat përreth. Zjarri ka përfshirë edhe fshatrat Kalsat, Llazat, Gravë e Qesarat ku janë djegur deri tani më shumë se 40 hektarë me ullishta e kullota. Forca të shumta policie, ushtria dhe banorë të zonave po përpiqen që nga dita e djeshme të shuajnë flakët e zjarrit që rrafshoi shumë shpejt rreth 40 hektarë. Aktualisht nuk mësohet të ketë dëme për banesat e fshatrave ndërsa policia është vënë në kërkim të autorëve të zjarrit. Shkaqet e rënies së këtij zjarri janë ende të paqarta ndërsa dyshimet e para flasin për një zjarrëvënie të qëllimshme.
29 Gusht 2008