E Diel, 1 Nëntor 2026

Të arrestuarit e operacionit “Kollona” nën hetim prej një muaji



TIRANË - Tre personat, e arrestuar të mërkurën në mbrëmje në Tiranë, me rreth 1 kilogram drogë e llojit Heroinë, ishin nën hetim prej një muaji nga Sektori i luftës kundër trafikut të lëndëve narkotike në Policinë e Tiranës, bënë të ditur të enjten për ATSH-në burime zyrtare nga Policia. Sipas burimeve, falë provave dhe fakteve të mbledhura, forcat e policisë së kryeqytetit realizuan operacionin e koduar “Kollona”, duke arrestuar shtetasit, Mehmet Belba 45 vjeç, Elvis Arifaj 24 vjeç dhe Martin Bocaj 22 vjeç, me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Personat në fjalë, u kapën në kushtet e flagrancës, gjatë shkëmbimit të sasisë prej 1 kg heroinë, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale. Gjithashtu atyre iu sekuestrua edhe një shumë prej 400.000 lekë (të reja), të cilat ishin përfituar nga tregtimi i lëndës narkotike, 1 thikë, që plotësonte kushtet e armës së ftohtë si dhe 5 shashka. Nga të njëjtat burime mësohet se materialet e kësaj çështjeje i kaluan për hetime të hollësishme organit të Prokurorisë. Strategjia në luftën kundër trafikut të drogës, që po zbatohet nga strukturat e Policisë Shqiptare, ka rezultuar efikase, sidomos në tre vitet e fundit, kur forca zbuluese dhe goditëse e organeve të rendit për këtë lloj trafiku, ka ardhur në rritje. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për periudhën Janar- Korrik 2008, u zhvilluan 20 operacione antidrogë, nga të cilat 5 ndërkombëtare, ku janë arrestuar 224 persona, janë sekuestruar 47 kg Heroinë, 813 gr Kokainë, 2.027 kg hashash, ndërsa janë asgjësuar 80.950 rrënjë bimë narkotike.

29 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›