E Shtunë, 31 Tetor 2026

Industrialistët, interes për të blerë aksione në TEC-in “Kosova C”



Biznesi shqiptar, shqetësim për mospjesëmarrje në tenderim

Industrialistët kërkojnë ndërhyrjen e shtetit shqiptar

Në Kosovë do të ndërtohet një termocentral i madh dhe për këtë qëllim është shpallur interesi për zhvillimin e një tenderi. Industrialistët shqiptarë kanë shprehur interesin për të qenë investitorë strategjikë në këtë projekt, por nuk iu është krijuar mundësia që të jenë pjesëmarrës në këtë tenderim. Biznesi i industrisë shqiptarë i përfaqësuar nga Konfindustria shpreh shqetësimin e tij lidhur me njoftimet e ardhura nga procesi tenderues dhe projekti tërësor i ndërtimit të termocentralit “Kosova C”, projekt për të cilin Shqipëria ka shprehur vullnetin e saj për të qenë ndër investitorët strategjike në ndërtim dhe shfrytëzim. “Sipas të dhënave të fundit, del se ka mbaruar faza e parë e procesit të tenderimit dhe janë përzgjedhur disa kompani investitorë/kandidatë për fitues të kontratës koncesionarë, ndërkohë që shteti shqiptar nuk njoftohet si kandidat për zotërimin qoftë edhe të një pjese aksionesh të koncesionarit të TEC-it “Kosova C””, - është shprehur dje Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë. Sipas tij, TEC “Kosova C” për nga kapaciteti prodhues i parashikuar, bazuar në lëndën e parë energjetike të siguruar në vend me sasi e cilësi të rangut botëror, është vepër me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin. Ndaj, - shton Buxhuku, - në këtë kuptim pjesëmarrja e Shqipërisë si një ndër investitorët strategjikë në ndërtimin dhe shfrytëzimin e kësaj vepre është lëvizja e duhur për të përfituar në afatgjatë ekonomikisht dhe për të siguruar përfundimisht pavarësinë energjetike për gjithë hapësirat shqiptare. Pavarësimi energjetik sikundër edhe të ardhurat e konsiderueshme, që do të vijnë nga prodhimi për eksport mbas hyrjes në shfrytëzim të TEC-it “Kosova C” e justifikojnë plotësisht investimin e madh përkatës. Buxhuku ka vënë theksin se Shqipëria nëpërmjet përfaqësuesve më të lartë të saj ka shprehur vullnetin politik dhe njëkohësisht mundësitë e saj financiare dhe ekonomike për të përballuar koston e pjesëmarrjes si bashkëinvestitorë në TEC “Kosova C”. Ndërtimi i Autostradës së Kosovës me 100% të mjeteve financiare të përballuara nga burimet e brendshme financiare vërteton plotësisht mundësitë e Shqipërisë për të zotëruar një pjesë të konsiderueshme të kapitalit të TEC-it “Kosova C” dhe rrëzon çdo paragjykim për pamundësinë financiare të saj. Ndërkohë, vendimmarrja politike mbarëshqiptare sidomos kosovare duhet të kuptojë drejt se pjesëmarrja e kapitalit publik të Kosovës dhe Shqipërisë në TEC “Kosova C” është jashtëzakonisht e rëndësishme, duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të veprës në kuptimin e zhvillimit ekonomik të gjithë hapësirave mbarëshqiptare në afatgjatë.

Duke pasur parasysh sa më sipër, Konfindustria i kërkon vendimmarrjes politike në Shqipëri dhe Kosovë, që Shqipëria të shprehë institucionalisht dhe me dokumentacion zyrtar përpara institucioneve shtetërore të Kosovës kërkesën të shoqëruar me mundësitë financiare përkatëse për të qenë bashkinvestitore në TEC “Kosova C”. Njëkohësisht duhet të fillojnë përgatitjet për pjesëmarrjen në një tender të mundshëm për blerjen e një paketë aksionesh të TEC “Kosova C”. Po kështu Konfindustria kërkon që autoritetet

qeveritare të Kosovës duhet të përcaktojnë qartë skemën BPP (Bashkëpunimi Publik Privat) të pjesëmarrjes në përqindje të investitorëve strategjikë publikë në financimin e TEC “Kosova C” për t’i dhënë mundësinë Shqipërisë të konkurrojë në një proces tenderimi të mundshëm. Konfindustria shpreh qëndrimin e saj se pjesëmarrja e Shqipërisë si bashkëaksionerë në TEC “Kosova C” është hap shumë i rëndësishëm për krijimin e Tregut të Hapur Shqiptar dhe Rajonal me vlera të jashtëzakonshme në afatgjatë për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e gjithë shqiptarëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›