E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetarët të mashtruar nga shitësit e motorëve

Fier, shitësit japin motorë pa dokumente me pretendimin se ato nuk duhen ndërsa policia bllokon mjetet

FIER- Subjektet tregtare që shesin motoçikleta në rrethin e Fierit po përballen me akuza të shumta se kanë mashtruar klientët në lidhje me dokumentacionin. Sipas disa denoncimeve që janë bërë në policinë lokale, tregtarët kanë mashtruar klientët duke i thënë se për të qarkulluar me motor nuk nevojitet asnjë leje qarkullimi apo leje drejtimi mjeti. Por në momentin që policia bllokon motorët e sapo blerë, pronarët e tyre detyrohen të shkojnë sërish tek shitësit.

Në qytetin e Fierit janë rreth 15 pika që shesin motorë. Këto subjekte ndodhen në disa lagje të qytetit ose në rrethinat e tij. Në këto kushte tregtimi i motorëve ka krijuar konfuzion mes policisë rrugore dhe drejtuesve të tyre. Për mos njohje të këtij ligji, policia ka bllokuar qindra motorë, të cilat merren më pas kur pronari i saj plotëson dokumentet, të cilat kërkojnë shumë shpenzime. Por ka edhe të tjerë që për arsye ekonomike nuk i tërheqin më motorët, të cilët përfundojnë duke u shitur për skrap. Kreu i policisë rrugore të Fierit, Pëllumb Kërçuku, lidhur me situatën e krijuar, ka sqaruar se të gjithë motorët duhet të nxjerrin leje qarkullimi dhe patentë. Sipas tij, kodi rrugor e përcakton qartë dhe tregtarët e motorëve e dinë shumë mirë atë kur duhet të nxirret leja e drejtimit. Ai shprehet se këto subjektet që i tregtojnë ato ose nuk e njohin këtë paragraf të kodit rrugor ose e keqinterpretojnë me dashje për qëllime përfitimi. “Njerëzit janë të keq informuar. Ata pretendojnë se motori i tyre nuk ka nevoje për leje dhe këtë informacion e kanë nga subjektet tregtare ku kanë blerë mjetin”,- thanë burimet e policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›