E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, arrestohen në Rinas dy të kërkuar

Policia kufitare ka prangosur teksa zbrisnin nga avioni 2 persona të shpallur në kërkim për vrasje në tentativë

TIRANË- Fluksi i emigrantëve që hyjnë çdo ditë nga Rinasi ka sjellë edhe arrestimin e disa personave të kërkuar. Masat e marra nga policia Kufitare për përballimin e fluksit për pritjen e kontrollin e shtetasve shqiptarë dhe të huaj që kalojnë përmes pikave kufitare kanë zbuluar dy ditë më parë dy persona emrat e të cilëve rezultonin në listën e të kërkuarve nga policia. Xhemal Matoshi, 49-vjeç, lindur në Tropojë e banues në Tiranë, po udhëtonte nga Greqia si pasagjer i zakonshëm me linjë ajrore, ndërkohë në kabinat e hyrjes gjatë verifikimit të tij nga efektivat e policisë, rezultoi se me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë më datë 29 prill të vitit 1998 është dënuar me 10 vjet burg për veprën penale të “Vrasjes së mbetur në tentativë”. Gjithashtu policia ka çuar në pranga edhe 21-vjeçarin Ardin Ahmataj, lindur e banues në Tiranë. I kërkuari po udhëtonte nga Italia me linjë ajrore si pasagjer i zakonshëm e nga verifikimet e kryera nga strukturat e policisë ka rezultuar se me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë më datë 27 shkurt të këtij viti është dhënë ndaj tij masa e sigurisë “Arrest në Burg” për veprën penale të “Vrasjes së mbetur në tentativë”. Dy të arrestuarit iu dorëzuan për veprime të mëtejshme Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›