E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inertet, katastrofë për lumenjtë

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Inertet në shtretërit e lumenjve të Bunës dhe Kirit, por edhe në breg të liqenit, janë kthyer në një fenomen shqetësues për banorët e Shkodrës. Në alarm janë vënë edhe institucionet që merren me ruajtjen e mjedisit pasi sipas tyre, ekosistemi po shkatërrohet totalisht. Por megjithë këto situata të krijuara, ende nuk është marrë asnjë masë konkrete për evitimin e kësaj problematike. Buzë lumenjve kanë mbirë edhe ndërtesa, të cilat po bëhen pa leje. Makina të tonazheve të rënda zbarkojnë tonelata me rërë, tulla e inerte të tjera për ndërtimin e tyre. Ndërkohë, mjaft sheshe të tjera pranë lumenjve janë tejmbushur me materiale ndërtimi nga persona të ndryshëm të cilët kanë zaptuar tokat nëpërmjet këtyre lëndëve të ndërtimit. Por situata më problematike paraqitet nga hedhja e inerteve në lumë. Tonelata të tëra të ngarkuara në makina të tonazheve të rënda hidhen çdo ditë aty. Inertet që vijnë nga pallatet në ndërtim, si dhe nga subjekte të tjera, po shkaktojnë katastrofë në brigjet e këtyre lumenjve. Drejtori i Agjencisë së Shfrytëzimit të Ujërave të lumenjve në Shkodër, Osman Deltina u shpreh se situata më shqetësuese është në shtretërit e lumenjve Kir dhe Bunë, si dhe në brigjet e liqenit të Shkodrës. Depozitimi i mbeturinave po shkatërron tërësisht ekosistemin, si dhe po ndryshon rrjedhën e tyre. Sipas Deltinës, agjencia që ai drejton, i ka dërguar disa herë shkresa Policisë Ndërtimore, ku i është kërkuar që të marrë masa për prishjen e ndërtimeve të saponisura dhe pa leje që kanë mbirë anës lumenjve. Por ndërtimorët vijoi më tej Deltina, megjithëse janë angazhuar në disa raste, përsëri nuk është realizuar ndalimi i hedhjes së inerteve në këto lumenj. Tashmë grumbujt e inerteve po shqetësojnë seriozisht banorët. Sipas Deltinës, pikërisht në shtretërit e lumenjve janë hapur themele të shumta, me qëllim ngritjen e ndërtimeve të ndryshme pa menduar aspak për pasojat e këtyre veprimeve, aq më tepër që tani rajoni ka hyrë në stinën e shirave. “Mbeturinat inerte hidhen nga subjekte apo individë të ndryshëm, me qëllim përfitimin e ndonjë copë toke, ku mund të ngrenë më vonë ndonjë ndërtesë” tha Deltina. Ai shtoi se agjencia që ai drejton, i ka dërguar në çdo rast të evidentuar shkresa zyrtare Policisë Ndërtimore, por masat e marra prej saj kanë qenë vetëm disa gjoba të lehta që janë paguar pa probleme nga kundërvajtësit. Por, në asnjë rast nuk janë prishur ndërtimet e filluara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›