Kuvendi injoron raportin e Ina Ramës
Trazhgim Sokolaj
Një raport voluminoz i Prokurorisë së Përgjithshme për gjendjen e kriminalitetit në vitin 2008, është anashkaluar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Komisioni Parlamentar i Ligjeve. Punimet e kësaj legjislature konsiderohen të mbyllura, ndërsa raporti i Prokurores së Përgjithshme për vitin e kaluar 2008, duket se është arkivuar në sekretarinë e Kuvendit për të mos u marrë në konsideratë. Materiali voluminoz është dërguar në Kuvend në 10-ditorin e parë të muajit mars 2009, kohë kur një raport i tillë dorëzohet nga të gjitha institucionet e pavarura për t’u paraqitur më pas në seancë nga titullari i institucionit. Burime zyrtare të Prokurorisë thonë se në mesin e muajit mars 2009, raporti i kryeprokurores për gjendjen e kriminalitetit në vitin 2008, ishte marrë në dorëzim nga sekretaria e Kuvendit. Procedura e ndjekur në vitet e mëparshme, parashikonte që raporti të shumëfishohej dhe tu ndahej anëtarëve të Komisionit të Ligjeve. Fillimisht Kryeprokurorja do të thirrej në këtë komision dhe më pas, Kuvendi do të caktonte datën e seancës kur Prokurorja e Përgjithshme do të paraqitej në Kuvend për prezantimin e gjendjes së kriminalitetit për vitin e kaluar para të gjithë deputetëve. Raporti përmban një sërë konstatimesh që lidhen me problematikën dhe pengesat e hasura nga Prokuroria në ushtrimin e ndjekjes penale për vitin e kaluar 2008. Raporti i përvitshëm mbi gjendjen e kriminalitetit, në vetvete është një dokument prezantues dhe llogaridhënës i Prokurorisë para Kuvendit, i cili voton Prokurorin e Përgjithshëm para se ai të marrë detyrën me dekret nga Presidenti. Në ligjin e Prokurorisë, thuhet po ashtu se Prokurori i Përgjithshëm raporton një herë në vit para Kuvendit për punën e bërë në ushtrimin e ndjekjes penale.
Injorimi i Ina Ramës
Një njoftim zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë, konfirmon se më 15 maj 2009, janë mbyllur punimet e legjislaturës së 17-të. Referuar këtij njoftimi për mbylljen e punimeve të Kuvendit, duket qartë se Komisioni i Ligjeve, i drejtuar nga deputeti demokrat Ilir Rusmali, ish-ministër i Drejtësisë ka pasur plot dy muaj në dispozicion për caktimin e një seance, që nga koha kur Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi raportin për gjendjen e kriminalitetit në vitin 2008. Megjithatë, veç konfirmimit se materiali i raportit ishte marrë në dorëzim, Prokuroria e Përgjithshme nuk mori në këta dy muaj, asnjë lajmërim nga Kuvendi për paraqitjen e kryeprokurores me qëllim prezantimin e raportit dhe diskutimin e tij me deputetët në varësi të pyetjeve apo interesimit prej këtyre të fundit. Raporti i Prokurores së Përgjithshme mbeti i arkivuar në sekretarinë e Kuvendit, ndërsa kryeprokurorja Ina Rama mbeti në pritje për caktimin e datës së seancës kur do të lexonte raportin para deputetëve. Një datë e tillë nuk u caktua nga Kuvendi, i cili tanimë ka deklaruar të mbyllura punimet e legjislaturës së 17-të. Zyrtarët e prokurorisë së Përgjithshme nuk duan të komentojnë shkaqet e këtij “incidenti”. Ata thonë se “Prokuroria përmbushi detyrimin ligjor dhe institucional duke hartuar raportin dhe duke e paraqitur atë në Kuvend brenda afatit dhe procedurave të kërkuara”. Ndryshe nga paraardhësit e saj, duket se Ina Rama është gjendur në një situatë të pamundur për të paraqitur raportin në Kuvend. Kjo ndodh në vitin 2009 kur Prokuroria ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të çështjeve të hetuara si dhe një vit pas debateve të shumta që shkaktuan ndërhyrjet e Ministrisë së Drejtësisë në ligjin “Për Prokurorinë” në shtator 2008.
Reforma
Ndryshimet në ligjin “Për Prokurorinë” kanë qenë objekt i një debati të gjatë dhe në disa raste të tensionuar gjatë vitit 2008. Sipas burimeve nga organi qendror i akuzës, një interpretim në lidhje me pasojat e ndryshimeve ligjore të bëra në 2008, ishte përfshirë në raportin, që Ina Rama kishte përgatitur për të lexuar para deputetëve në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Në mënyrë institucionale dhe publikisht Prokuroria e Përgjithshme është shprehur se disa ndryshime në ligj kundërshtohen nga komuniteti i Prokurorëve, Shoqata Kombëtare dhe vetë organi qendror i akuzës. Një tjetër pikë “e nxehtë” e raportit është edhe çështja e pavarësisë së prokurorisë dhe problemeve me buxhetin.
Raporti
Materiali me të dhënat për punën e bërë në vitin 2008, në kuadër të luftës kundër kriminalitetit dhe ushtrimit të ndjekjes penale, këtë vit mësohet se ishte formatuar në një mënyrë të veçantë. Në raportin e saj mësohet se Ina Rama kishte përfshirë të dhëna të shumta, si dhe një kapitull krahasues të treguesve të punës për pesë vitet e fundit. Të dhënat për gjendjen e kriminalitetit në vitin 2008 ishin paraqitur të krahasuara me pesë vitet e fundit, duke ballafaquar shifrat dhe faktet që nga viti 2004 dhe në vazhdim deri në fund të vitit 2008. Ky raport gjithsesi duket se ka mbetur “për konsum të brendshëm” në Prokurori, pasi Kuvendi nuk e mori në diskutim.
Refuzimi për Ina Ramën, 6 zyrtarë institucionesh raportuan në Kuvend
TIRANE – Komisioni i Ligjeve dhe vetë Kuvendi duket se nuk ka ndjekur të njëjtin qëndrim me institucionet tjera të pavarura pavarësisht refuzimit të raportit të Kryeprokurores Ina Rama. Nga të dhënat e Kuvendit të Shqipërisë, konfirmohet se komisionet përkatëse kanë caktuar seancat duke marrë në shqyrtim raportet si dhe duke thirrur për paraqitjen e tyre, krerët e gjashtë institucioneve të pavarura. Konfirmohet së në komisionet përkatëse, kanë paraqitur raportet e tyre për vitin 2008, kreu i Këshillit Kombëtar të Radiotelevizionit, Kryetari i Kontrollit të Lartë të shtetit, Kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Avokati i Prokurimeve dhe Avokati i Popullit. Sipas procedurës, të gjitha institucionet e pavarura, duhet të paraqesin në Kuvend në periudhën mars-prill të çdo viti, raportin me shkrim për veprimtarinë e vitit paraardhës. Ashtu si prokuroria e përgjithshme, edhe gjashtë institucionet tjera kanë paraqitur raportet e tyre të punës të cilat janë marrë në konsideratë ndërsa është lënë “në harresë”, materiali i Prokurorisë së Përgjithshme. Ajo çka ra në sy edhe vitin e kaluar gjatë raportimit të prokurores së Përgjithshme në Parlament, ishte një mungesë interesi për fjalën e saj nga deputetët e maxhorancës. Shumica prej tyre madje, u larguan nga salla e Kuvendit në kohën kur prokurorja e përgjithshme filloi të lexonte raportin për gjendjen e kriminalitetit në vitin 2007. nga ana tjetër duket se Prokuroria e Përgjithshme i kishte kushtuar rëndësi raportimit në Parlament. Vetë kryeprokurorja Ina Rama shkoi në Kuvend e shoqëruar nga stafi i saj në Prokurorinë e përgjithshme si dhe nga të gjithë drejtuesit e prokurorive në rrethe. Kjo ishte një praktikë e pazbatuar nga paraardhësit e Ina Ramës në raport me Kuvendin e Shqipërisë. tr.so