E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infeksionet e frymëmarrjes, shtohen fëmijët e sëmurë

Në mesin e stinës së vjeshtës, edhe pse shpesh herë me temperatura që i shkojnë për shtat dimrit, virozat e stinës po qarkullojnë nga të katër anët. Më shumë nga të gjithë janë prekur fëmijët e moshave pediatrike dhe të rinjtë. Përfundimi vjen nga monitorimi i situatës, i kryer nga specialistët e Shëndetit Publik. Në buletinin e tyre të fundit informativ për popullatën, ISHP ka sqaruar se ka një prirje të shtimit të infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes te moshat pediatrike, por veç tyre ka shtim të rasteve të të prekurve edhe te moshat e reja. Nuk ndodhemi pranë një epidemie gripale, por kemi shtim të virozëve, të rrugëve të frymëmarrjes, simptoma karakteristike këto edhe për gripin e derrave, AH1N1.

Janë rreth 1 mijë kampionë të analizuar për një periudhë katërmujore, të cilat janë studiuar dhe ekzaminuar në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik.

Shtimi i rasteve

Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 25-44 vjeç, ku dhe vihet re dhe numri më i madh i rasteve të konfirmuara me AH1N1. Vetëm 20 për qind e mostrave janë të moshës pediatrike. Sipas ISHP-së, duke pasur parasysh që numri më i lartë i infeksioneve respiratore paraqitet në grupmoshën pediatrike, sërish vihet re një numër më i vogël mostrash të marra në këtë grupmoshë nga mjekët. "Përsëri tërheqim vëmendjen e pediatërve dhe epidemiologëve në të gjithë vendin, që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e marrjes së mostrave në këtë grup moshë", sqaron ISHP. Ashtu siç ishte parashikuar si nga specialistët e shëndetit publik, vjeshta do të shënonte edhe periudhën e shtimit të rasteve të prekura nga virozat dhe infeksioneve respiratore.

Moshat

Moshat pediatrike nga 6 muaj deri në 13 vjeç janë prekur më shumë se moshat e tjera nga infeksionet respiratore, jo vetëm gjatë javës së parë të muajit shtator, por edhe në javët e kaluara. Situata e të prekurve nga format e rënda të infeksioneve respiratore, virozëve të stinës apo gripi i derrit, nuk është në kontroll të plotë nga autoritetet shëndetësore shqiptare.

Problemi i grumbullimit të mostrave, kampionëve të gjakut në moshat pediatrike dhe dërgimi i tyre pranë laboratorit të ISHP-së ka krijuar vakume në monitorimin e situatës gripale.

"Duket qartë që aktualisht kemi një aktivitet të infeksioneve respiratore, thuajse të ngjashme me një vit më parë. Këtë javë vërejmë një trend në rritje të numrit të infeksioneve respiratore, pavarësisht se numri i qendrave që raportojnë është më i lartë se një vit më parë. Kemi një numër më të madh rastesh në moshat fëminore dhe më tej një rritje të lehtë në moshat mbi 60 vjeç", shkruhet në Buletinin Informativ të ISHP-së.

Sipas këtij buletini, të gjitha rastet e mundshme të identifikuara me virusin e gripit A do të trajtohen njësoj si AH1N1 nga pikëpamja e ndjekjes dhe kontrollit, si dhe menaxhimit të rastit, përherë sipas kontekstit dhe gjykimit klinik të specialistëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›