E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmshpërblimi, të përndjekurit paralajmërojnë grevë

Ish të dënuarit politikë të Qarkut të Durrësit paralajmërojnë përfshirjen në grevë urie në rast të mosplotësimit të kërkesave të tyre nga ana e qeverisë, që e ka lënë këtë shtresë në harresë. Ata gjithashtu janë deklaruar në mbështetje të grevës së urisë që po zhvillohet në ambientet e institutit të ish-të dënuarve dhe persekutuarve në Tiranë. Gjatë një deklarate për shtyp, ata kanë denoncuar zvarritjet në shpërndarjen e dëmshpërblimit të tyre, ndërsa vitet kalojnë dhe atyre s‘u mbetet edhe shumë kohë për ta gëzuar pensionin. Gani Bejdo, duke lexuar deklaratën për shtyp të firmosur nga një grup ish të dënuarish, bëri të ditur kërkesat ekonomiko-sociale të tyre. Të dënuarit e Durrësit kërkuan të përfundojë sa më shpejt shpërndarja e parave të këstit të parë brenda këtij viti, si dhe të shkurtohet afati prej 8 vjetësh për dëmshpërblimin e tyre, pasi deri atëherë shumë prej ish të dënuarve që ende jetojnë, do të kenë vdekur. Një tjetër kërkesë është ajo që këstet e tjera të paguhen në përqindjen e interesit sipas normave bankare, në mënyrë që të moszhvlerësohet në kohë djersa dhe situata që u është dashur të kalojnë për shkak të regjimit diktatorial, por edhe në vitet e pluralizmit. Shumë prej ish-të persekutuarve në Durrës jetojnë në kushte të vështira, pa shtëpi, me probleme të shumta shëndetësore dhe me pensione minimale për të përballuar nevojat që kanë. Kjo i ka bërë ata që të riformulojnë kërkesën për hartimin e një strategjie për strehimin dhe punësimin e kësaj shtrese sociale që sorollatet nëpër zyrat e administratës publike dhe nuk merr asnjëherë përgjigje për këto probleme tepër jetike. Mes kërkesave është dhe ajo e uljes së moshës për daljen në pension. Ndërkohë që ish të dënuarit politikë të Durrësit kanë reaguar edhe ndaj sekretarit të përgjithshëm të Institutit të të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, i cili sipas tyre nuk mund ta përfaqësojë këtë shtresë, pasi nuk i përket asaj. Janë paraqitur dokumente zyrtare, si dhe poezi të kohës që Ndregjoni i kushtonte udhëheqësit Enver Hoxha.

V.Qyrfyçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›