Kërcënonte me jetë biznesmenin, arrestohet punëtori i ndërtimit
Kërcënimet për jetën nëpërmjet telefonit, marrja e letrave anonime kërcënuese dhe krismat e armëve pranë banesës ishin kthyer në një ankth të vërtetë për një biznesmen dhe familjen e tij në një fshat të Rrethit të Beratit. Mesditën e djeshme, uniformat blu të Komisariatit të Beratit kanë arritur të identifikojnë autorin e kërcënimeve të biznesmenit Kastriot Çala, të cilët vinin në adresë të tij dhe familjes prej disa vitesh. Mësohet se autori dyshohet të jetë Kastriot Kuçi, 35 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Kutalli, i cili njihej dhe ishte mik me biznesmenin Çala. Kërcënuesi dhe i dëmtuari kanë punuar bashkë dhe kanë pasur njohje familjare me njëri-tjetrin. Burime zyrtare nga komisariati i policisë bëjnë të ditur se historia ka nisur rreth dy vjet më parë, kur më datën 22 dhjetor të vitit 2007, autori i dyshuar Kastriot Kuçi i ka dërguar një letër kërcënuese familjes Çala dhe që pas kësaj date ai ka qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të banesës së biznesmenit. Kështu, më datën 31 dhjetor të po atij viti, Kuçi akuzohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së biznesmenit, fatmirësisht pa shkaktuar lëndime në njerëz, por vetëm dëme materiale. Rreth katër muaj më pas ai ka qëlluar sërish me armë zjarri në drejtim të banesës së biznesmenit, veprim të cilin e ka bërë sërish në datat 14 qershor dhe 9 tetor të vitit 2008. Pas të gjitha rasteve të qëllimit me armë zjarri, ngjarja është shoqëruar dhe me kërcënime me telefon dhe letra anonime për biznesmenin dhe familjen e tij. Pas kësaj, Çala ka denoncuar në polici dhe menjëherë kanë nisur hetimet nga ana e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Beratit, në bashkëpunim dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor. Nga verifikimet e bëra është mësuar se kërcënimet nëpërmjet telefonit bëheshin nga kabina telefonike në rrugë, nga rrethe të ndryshme si: Fier, Kuçovë, Urë Vajgurore, Berat. Të gjitha këto kërcënime mësohet se bëheshin për të detyruar familjen Çala të mbyllte biznesin që dispononte, një firmë ndërtimi ku vetë autori i dyshuar ishte punëtor. Sipas policisë, autori ka kryer veprat penale të "kanosjes", "mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve" dhe "shkatërrimit të pronës". Ai u ndalua mesditën e djeshme në banesën e tij, ku iu bllokuan në cilësinë e provës materiale dhe një armë automatike, dorëshkrime të letrave kërcënuese, si dhe një aparat celular.
M.Haxhialiu
M.Haxhialiu